Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua më 9 shtator në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Sipas njoftimit, Vulin e falenderoi Shoigun për ftesën për pjesëmarrje në takimin e anëtarëve të BRICS-it dhe vendeve partnere, që do të mbahet në Shën Petersburg, nën organizimin e Këshillit të Sigurisë të Rusië.
Samiti i vendeve të BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Republika e Afrikës së Jugut) mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi ditë më parë se do të marrë vendimin për ftesën e dërguar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për pjesëmarrje në samitin e BRICS-it më 10 ose 15 tetor.
Në takimin midis Vulinit dhe Shoigut, sipas njoftimit, u diskutua për “një gamë të gjerë temash me interes të përbashkët për Serbinë dhe Federatën Ruse”.
Një nga temat ishte edhe situata në Kosovë, dhe Vulin tha në takim se ajo është “në prag të konfliktit”, duke falenderuar Rusinë për respektimin e integritetit territorial të Serbisë.
Javën e kaluar, disa pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë u mbyllën për shkak të bllokadave të vendosura në anën serbe të kufirit. Bllokadat u organizuan fillimisht si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të Kosovës. Por, më 7 shtator pikat kufitare u hapën.
Vulin u takua më 4 shtator me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF) në Vlladivostok.
Para këtij takimi, Bashkimi Evropian tha për mediat në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.
Vulin në deklarimet e tij shpesh kritikon Perëndimin dhe konsiderohet si një nga mbështetësit më të fortë të Kremlinit në mesin e elitës qeverisëse serbe.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka futur atë në listën e sanksioneve në mes të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe nën dyshime për korrupsion kur ishte në krye të agjencisë së inteligjencës serbe, BIA.
Vulin u emërua zëvendëskryeministër në Qeverinë serbe në fillim të majit.
Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që refuzon t’iu bashkohet me sanksionet ndërkombëtare kundër Kremlinit, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës./REL