Erdion Muho, 35-vjeç, u arrestua nga Policia me dyshimet se në 24 Qershor të këtij viti do t’i vendoste një anije në Portin e Sarandës, eksploziv.

Foto: Erdion Muho

Muho, referuar policisë bashkëpunoi me Armandi Nelajn, një 52-vjeçar, të cilit gjatë rrugës me mjet lundrues për te anija, i shpërtheu aksidentalisht lënda plasëse duke humbur jetën.

Sasia e eksplozivit do të vendosej te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz dhe hetimet treguan se shkak për ngjarjen e rëndë ishte konkurrenca.

Fillimisht hetuesit besuan se shpërthimi me eksploziv ishte një atentat ndaj 52-vjeçarit, por të dhënat treguan tjetër gjë.

Për shkak të disa mosmarrëveshjeve që Erdon Muho, pronar i një anije dhe i një agjencie turistike në qytetin bregdetar kishte me një tjetër disa kohë më parë ata kishin planifikuar vendosjen e lëndës plasëse.

Kjo e fundit do të vendosej mbrëmjen e 24 Qershorit, por gjatë transportimit shpërtheu. Shpërthimi dhe Armandi Nela u konstatua nga disa pushues që po lëviznin gjithashtu me mjet lundures.


Njoftimi i policisë:

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.

Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.

Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.


/tvklan.al