Ky është Tomas Kruks, 20 vjeçari që plagosi me snajper Donald Trampin të Shtunën në një tubim në Pensilvani, në një foto të publikuar nga FBI që konfirmoi zyrtarisht identitetin e tij.
Mediat amerikane citojnë burime pranë FBI-së që thonë se në automjetin e autorit që u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes, ishte zbuluar edhe një sasi eksplozivi që dyshohej se mund të përdorej në këtë ngjarje. Sipas tyre, snajperi i përdorur nga atentatori ishte me leje dhe ishte regjistruar në emër të të atit.
Filmimet e publikuara në rrjetet sociale hedhin dyshime se agjentët e sigurisë vepruan me vonesë për të mbrojtur kandidatin republikan. 20-vjeçari u shtri barkas në tarracën e një ndërtese njëkatëshe pranë vendit ku zhvillohej tubimi dhe u përgatit për të qëlluar Donald Trampin. Të pranishmit e venë re dhe njoftojnë agjentët, të cilët nuk shfaqen fare gjatë filmimit.
Një tjetër filmim tregon forcat e armatosura të sigurisë mbi çatinë e një tjetër ndërtese që mbikqyrin me dylbi zonën por nuk reagojnë menjëherë ndaj autorit, deri kur ai qëllon. FBI njoftoi se ngjarjen po e heton si një akt terrorizmi të organizuar brenda vendit dhe pista aktualisht nuk rezulton që Tomas Kruks të ketë patur bashkëpuntorë.
Tv Klan