Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi një takim zyrtar, në ambientet e KQZ-së, me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi.

Qëllimi i takimit, mesohet të ketë qenë thellimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe diskutimi mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke vënë theksin tek siguria, transparenca dhe respektimi i standardeve demokratike. Në fokus të diskutimeve ishte roli i Policisë së Shtetit në mbështetje të një procesi zgjedhor të qetë dhe të besueshëm.

Ndërkohë një pikë e rëndësishme e takimit ishte bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe me Prokurorinë e Përgjithshme.

“Policia e Shtetit do të zbatojë me përpikmëri detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me KQZ-në dhe me institucionet e tjera. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pa u përballur me pasojat ligjore”, ka thënë Proda gjatë takimit.

Ndërkaq, Komisioneri Celibashi theksoi se Policia e Shtetit është një partner i rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve është jetik për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë votuesit.

Bëhet e ditur se pika të tjera të cilat janë diskutuar në këtë takim janë: Parandalimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore, siç janë blerja e votave, presionet ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës, forcimi i bashkëpunimit mes Policisë, KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të ligjit zgjedhor.

Gjithashtu një pikë tjetër është edhe zbatimi i masave të shtuara të sigurisë gjatë periudhës parazgjedhore, ditës së votimit dhe numërimit të votave si dhe trajnimi i strukturave policore mbi detyrimet ligjore dhe procedurat që lidhen me procesin zgjedhor, duke përfshirë identifikimin dhe raportimin e veprave të paligjshme.

/tvklan.al