Kryeministri Edi Rama, nën shoqërimin e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, kanë realizuar një inspektim në Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila ka një vit që kur është inauguruar.
Ajo që u vu re nga pamjet në këtë bazë ajrore, çdo pajisje i përkiste teknologjisë moderne, duke lehtësuar kështu kryerjen e misioneve civile, gjë që pason në siguri kombëtare më të lartë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se një bazë taktike si kjo e NATO-s ka gjithashtu dhe “vizitorë”, të tipit pilotë, aleatë, instruktorë të ndryshëm, të cilët janë si nga SHBA apo dhe nga aleatët e tjerë.
Vengu gjithashtu i mëshoi fort kushteve aktuale të bazës ajrore, e cila përmban klasa, laboratorë dhe akomodim për personelin e përhershëm prej 350 personave siç shpejgoi ministri.
Sakaq, ministri deklaroi se ish-shtëpitë e oficerëve në Kuçovë po rikonstruktohen, në mënyrë që ky personel të ndodhet në kushte sa më komode.
“Duke ditur që një bazë taktike e NATO-s si kjo, nënkupton edhe ardhjen e shumë pilotëve, aleatëve, instruktorëve, teknikëve të aviacionit, qoftë amerikanë, qoftë e të aleatëve të tjerë, ishte absolutisht e nevojshme që të kishim një qendër si kjo, me klasa, laboratorë dhe akomodim. Në fakt baza taktike e Kuçovës nënkupton një personel prej 350 personave, të dislokuar në mënyrë permanente këtu dhe jemi duke finalizuar në Kuçovë edhe ish-shtëpinë e oficerëve. Po e rehabilitojmë tërësisht në mënyrë që të qëndrojnë në kushte sa më komode i gjithë personeli dhe familjarët”, u shpreh Vengu.
Nga ana tjetër, Rama tha se është e nevojshme dhe ngritja e një palestre.
Baza e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955, si baza e parë ajrore shqiptare dhe në 20 vitet e fundit ka shërbyer kryesisht për stërvitjen e pilotëve të Forcave të Armatosura.
Kthimi në një bazë taktike të NATO-s do t’i japë mjeteve ajrore të aleancës të dislokohen në Kuçovë gjatë operacioneve strategjike në Ballkanin Perëndimor.
/tvklan.al