Albin Kurti shpalli fitoren e zgjedhjeve të 9 Shkurtit, por sipas shifrave nuk mund ta krijojë dot qeverinë i vetëm. Para mesnatës ai u shpreh se “koalicioni i tyre fitues do të formojë qeverinë e re”.

Siç e kemi dëgjuar në fushatë, LVV nuk planifikon që të bëjë koalicione me opozitën. Kurti ka thënë se qeverinë do ta ndërtojë me partnerët e koalicionit parazgjedhor, partinë “Guxo” të drejtuar nga Donika Gërvalla e Faton Peci dhe “Alternativën” e Mimoza Kusari-Lilës.

Por nga opozita si janë shprehur?

Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj, janë shprehur kategorikisht kundër një koalicioni me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Absolutisht jo”, tha Lumir Abdixhiku.

“E lë politikën, e lë krejt, por nuk bëhem me këtë dhe nuk i ndihmoj qeverisë së tij”, tha Haradinaj.

Por kandidati i PDK-së, Bedri Hamza ka qenë më i hapur kundrejt një koalicioni. Ai tha se nuk vendos vija të kuqe në politikë e se do ta preferonte një koalicion me partitë në opozitë.

“Unë vija të kuqe nuk kam nxjerrë asnjëherë në politikë. Kush ka nxjerrë vija të kuqe janë treguar të paqëndrueshëm. E preferoj koalicionin me partitë, të cilat janë në opozitë”, tha Hamza.

PDK-ja dhe LDK-ja kanë qeverisur disa herë bashkë. Edhe AAK ka qenë në koalicion me LDK-në dhe PDK-në në mandate të ndryshme qeverisëse.

Ndërsa në vitin 2020 LVV ishte në koalicion me LDK, por kjo zgjati shumë pak. Mosmarrëveshjet mes partnerëve çuan në rrëzimin e asaj që njihet si qeveria “Kurti 1”./tvklan.al