The Guardian ka njoftuar se nuk  do të postojë më në rrjetin social X pasi është kthyer në një “platformë mediatike toksike”.

Në një mesazh për lexuesit, thuhet se zgjedhjet presidenciale në SHBA “theksuan” shqetësimet e gazetës se Elon Musk ka mundur të përdorë  X “për të formësuar diskursin e tij politik”.

“Duam të njoftojmë lexuesit tanë se nuk do të postojmë më në asnjë llogari editoriale zyrtare të Guardian në rrjetin social X (dikur i njohur si Twitter). Ne mendojmë se avantazhet e të qenit pjesë e X tani tejkalohen nga disavantazhet dhe ato burime mund të përdoren më mirë duke e promovuar diku tjetër gazetarinë tonë.

Kjo është diçka që e kemi menduar për disa kohë nisur nga përmbajtjet shpesh shqetësuese që promovohen ose gjenden në platformë, përfshirë teoritë konspirative të së djathtës ekstreme dhe racizmi. Fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA shërbeu vetëm për të theksuar atë që ne kemi  menduar për një kohë të gjatë: që X është një platformë mediatike toksike dhe se drejtuesi i saj, Elon Musk, ka mundur të përdorë ndikimin e saj për të formësuar diskursin politik.

X do të mund të shpërndajë artikujt tanë dhe natyra e raportimit të lajmit të drejpërdrejtë do të thotë që ne herë pas here do të vendosim përmbajtje nga X në artikujt tanë.

Gazetarët tanë  do të vazhdojnë ta përdorin për qëllim të mbledhjes së lajmeve, njësoj siç përdorin rrjete të tjera sociale ku ne nuk postojmë zyrtarisht. Rrjetet sociale mund të jenë një mjet i rëndësishëm për organizatat mediatike dhe na ndihmojnë të shkojmë te audiencat e reja, por në këtë pikë, X tani luan një rol të papërfillshëm në promovimin e punës tonë”.

Sipas BBC, zgjedhjet në SHBA mund të jenë një mundësi për gazetën britanike. Ajo po e pozicionon veten si një pjesë kyçe të “rezistencës” ndaj Donald Trump duke i përdorur zgjedhjet për të theksuar se është një organizatë mediatike pa një pronar miliarder që merr donacione nga lexuesit.

Ditën pas zgjedhjeve, lexuesit dëguar mbi 1.8 milionë dollarë në drejtim të gazetës duke arritur një shifër ditore rekord./tvklan.al