Ka nisur nga kjo e shtunë procesi i regjistrimit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, për të marrë votuar në zgjedhjet e 11 majit. Ky proces do të kryhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit dhe do të zgjasë deri më 4 mars.

Çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë territorit të vendit do të mund të hapë llogarinë e tij në Platformën Elektronike të Regjistrimit duke ngarkuar një foto, si dhe vendosur të dhënat personale që ka në kartën e identitetit shqiptare, e cila edhe nëse është e skaduar do të quhet e vlefshme.

Dokument tjetër me rëndësi, është një vërtetim që personi banon aty ku deklarohet. KQZ pranon dokumente të shumëllojshme, nga dokumentet e pronësisë, tek qiramarrjet apo faturat e ujit, gazit, energjisë, apo çdo abonim tjetër, përfshirë dhe dokumentet bankare. Adresa është e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i dërgojë fletën e votimit aty ku ai jeton.

Pas përfundimit të procedurës së hapjes së llogarisë dhe deklarimit të vendbanimit, brenda 5 ditësh, KQZ do ta informojë qytetarin që ka shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.

Që në orët e para të fillimit të procesit të regjistrimit, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se ka patur interes të lartë nga qytetarët jashtë vendit, ku deri në mesditën e të shtunës kryesojnë shqiptarët që jetojnë, në Gjermani, Britani dhe Itali. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë nga KQZ janë marrë masat për të përballuar çdo lloj fluksi që do të ketë Platforma Elektronike të Regjistrimit.

Votimi elektronik është një tjetër pikë që ka marrë vëmendjen e KQZ edhe pse forcat politike kanë pikë pamje të ndryshme për ta implementuar ose jo. Pavarësisht se PD është kundër, Celibashi thotë se votimi elektronik do të shtrihet në disa qendra votimi në Tiranë dhe jo në nivel qarqesh.

Klan News