Sot përfundon afati i një prej komisioneve më të rëndësishme në vend, ai i Reformës Zgjedhore. Edhe pse në kohë ka zgjatur 22 muaj, duket se nuk ka pasur rezultate. E pikërisht për këtë u fol në seancën e sotme parlamentare. Ishte Enkeled Alibeaj ai i cili pranoi që ende nuk ka një produkt konkret, duke theksuar se Parlamenti duhet të votonte kërkesën e PD-së për listat e hapura dhe votën e emigrantëve.
“Do duhet të jetë një parlament me normalitet real, anormaliteti vijon sepse gjithë salla hesht për një ngjarje që do duhet të ndodhte sot. 21 Mars, dita e fundit e Komisionit të Reformës Zgjedhore, nuk e shoh as zotin Gjiknuri. Duket fare qartë se cili është pakti, të heshtim. Zonja kryetare, ky parlament e ka për detyrë të deklarojë edhe dështimin po të doni ju të reformës ku detyrën kryesore e keni ju për ta nxjerrë sot në rend dite produktin, projektligjin e depozituar nga ana e PD këtu e 5 muaj më parë. Ky është normalitet, ky është sinqeritet. Ne e kemi depozituar variantin tonë të reformës zgjedhor, lista të hapura, votim elektronik, votën e diasporës, që o bëhet sot ose nesër është vonë. Kërkesa ime është që sot të marim kurajo dhe të votojmë, edhe kundër, e rëndësishme është që t’u flasim shqiptarëve siç duhet”, tha Alibeaj.
Fill pas tij, pati një përgjigjie nga ana e mazhorancës. Ishte kreu i grupit të PS Bledi Çuçi i cili përveçse përgëzoi kundërshtarët politikë për dhënien fund të aksionit, nënvizoi se pret një raport përfundimtar për “Zgjedhoren”.
“E përshëndes kthimin e kolegëve në normalitet dhe përfundimin e këtij aksioni absurd dhe kësaj marrëzie. Kanë filluar të lexojnë dhe sondazhe si duket, por pavarësisht nga shkaqet që i ka bërë të kthehet, mbetet gjithmonë për t’u përgëzuar një jetë normale parlamentare në Shqipëri, në njnë vend që aspiron BE. Lidhur me dy thirrjet, e para e zotit Basha dhe e dyta si një dekalrim i kapitullimit të komisionit nga zoti Alibeaj. Vërtet sot mbaron afati i një komisioni që ka zgjatur më shumë se çdo komision tjetër dhe për fat të keq po presim produktin që duket nga deklarimet e tij që s’do ketë produkt për vetë mendësinë si e kanë trajtuar këtë komision bipartizan. Çfarë komisioni konsensual mund të ngrihet mbi këtë premisë, kur pakica vjen me një draft dhe thotë këto janë kushtet tona, po doni merrini, po doni lejini. Ne po presim rekomandimet, do ti shqyrtojmë. Lidhur me faktin se PS i do apo jo listat e hapura, e keni në Kushtetutë, po jemi ata që kemi thënë se emigrantët duhet të votojnë, kemi bvërë gati dhe dokumentin. Nuk kemi ça bëjmë tjetër veçse të presim raportin përfundimtar që siç duket nuk ka asnjë produkt si asnjë komision tjetër”, deklaroi Çuçi./tvklan.al