Ditën e sotme ishte përcjellja për në banesën e fundit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Personalitete e qindra njerëz u mblodhën në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën Fortlumturisë së tij që u nda nga jeta më 25 janar në moshën 95-vjeçare.
Teologu i njohur Miron Çako, i ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth kontributit të kryepeshkopit të ndjerë, e quajti një “njeri mrekulli”. Çako tha se ai lindi kur mjekët nuk kishin shpresë ndërsa sot simbolizon një urë lidhëse mes dy popujve.
Miron Çako: Ai ishte një njeri mrekulli. Ai ka lindur me mrekulli sepse nëna e tij kishte një problem me shëndetin dhe doktorët i thanë që duhet ta heqësh fëmijën. Nëna nuk pranoi, tha më mirë të vdes unë dhe të rrojë fëmija dhe rrojti si nëna, edhe fëmija. Ai fëmijë u bë ky që është sot, atë që ne e çuam në banesën e fundit, kryepeshkopi kanonik i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, jo vetëm një njeri me staturë fetare por ishte edhe një njeri human, njeri social, njeri dashamirës për të gjithë njerëzit pa dallim. Na ka lënë neve sot një urë lidhëse në Ballkan, dy popuj që jemi miq, nuk jemi asnjëherë armiq grekë dhe shqiptarë, sepse edhe ai e kishte të përzierë, babanë e kishte grek, nënën e kishte me origjinë nga Epiri, pra kishte gjak shqiptari, ishte një përzierje kështu që bashkoi dy popujt. Kryeministri tha një fjalë të mirë që ne duhet ta mbështesim: “Ai lindi si grek por sot vdiq dhe u varros si kryepeshkop i Shqipërisë”./tvklan.al