Atëherë kur duhet të kishte ardhur reagimi, Shqipëria humbi ndeshjen ndaj Lituanisë. Ishte fillimi i pjesës së dytë dhe një pasim i pamenduar mirë jo me forcën e duhur i Gjasulës i dha mundësinë Lituanisë të fitonte ndeshjen.
Minuta e ‘49 e takimit. Klaus Gjasula ktheu topin por goditja e tij ishte e dobët. Strakosha u detyrua të linte portën për t’i paraprirë kundërshtarit por nuk ia doli. Kazlauskas goditi me portën bosh. Hysaj vrapoi deri në fund por çuditërisht e pati të pamundur ta devijonte topin që përfundoi në rrjetë.
Reja bëri ndryshime në radhët e lojtarëve duke hedhur në fushë disa sulmues. Pati tentativa për të gjetur barazimin, por të vakëta dhe të pasakta.
Por ky nuk ishte rasti i vetëm i lituanezëve që në pjesën e parë rrezikuan dy herë në të dyja goditjet e vetme drejt portës kuqezi. Fatmirësisht ishte Strakosha që shpëtoi dy gola.
Skuadra mike e kishte studiuar mirë Kombëtaren Shqiptare. Që prej minutës së parë ushtroi presing. Lituania ishte një skuadër pa shumë fantazi por me shumë shpejtësi dhe dëshirë për të marrë rrezultat.
Nga ana tjetër në Air Albania u pa një skuadër shqiptare e lodhur, e pafuqishme për të reaguar në kohë. Futbollistët i qëndruan strikt vendosjes në fushë dhe kjo u duk se i ndrydhi ambiciet e tyre.
Shqipëria nuk mundi të bënte dy fitore radhazi edhe pse ishte favorite e këtij takimi përballë një kundërshtari që nuk fitonte një ndeshje zyrtare prej 4 vitesh. Në krahasim me ndeshjen ndaj Bjellorusisë, kjo ishte një paraqitje mjaft e dobët e kuqezinjve.
Tv Klan