Autori i masakrës në Cetinje të Malit të Zi pati kohë të kryente edhe vrasje të tjera pasi policia kishte marrë një njoftim për një ngjarje të tillë, por kishte dyshuar se ishte alarm fals.

Dhjetëra njerëz u mblodhën në heshtje në Podgoricë dhe në shumicën e qyteteve të tjera malazeze për të ndezur qirinj për të përkujtuar viktimat e masakrës.

Sanja Jovanoviç, banore e Podgoricës, tha se ishte e zemëruar me faktin që qeveria nuk ka pranuar pjesën e saj të përgjegjësisë për këtë ngjarje.

“Më duket e turpshme që askush nuk po e pranon vazhdimisht përgjegjësinë as për tragjedinë e dy viteve më parë dhe as për  këtë të dytën gjë që tregon gjithashtu se shoqëria është në krizë. Dua të shoh se çfarë kanë për të thënë njerëzit e Malit të Zi për këtë dhe të shoh se si do të zhvillohet e gjithë kjo”, tha ajo.

Slobodan Markoviç, një banor i Cetinjës, e përshkroi autorin si një mik të mirë.

“Është një tragjedi. Po, ai ishte i mirë si shok, por nuk e di se çfarë i ka ndodhur  që ka arritur të bëjë diçka të tillë”, tha ai.

45-vjeçari Aleksandar Aco Martinoviç, i cili ishte në gjendje të dehur, fillimisht vrau katër persona pas një zënke në një restorant në Cetinje.

Më pas ai qëlloi për vdekje tetë persona, duke përfshirë dy fëmijë, në tre vende të tjera. Viktimat kishin lidhje të ngushta me personin e armatosur.

Kjo masakër është e dyta në tre vjet në të njëjtin qytet 38 km në perëndim të kryeqytetit Podgoricë. Në vitin 2022, një person i armatosur vrau 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë, përpara se të qëllohej për vdekje.

Klan News