Mbi 30 % e djemve 15-vjeçarë dhe vetëm 4 % e vajzave në Shqipëri kanë raportuar se janë përfshirë në marrëdhënie seksuale.
1 në 3 djemtë moshës 15-vjeçare në vendin tonë kanë raportuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale. Për ekspertët e shëndetësisë këto gjetje janë shqetësuese, pasi jo vetëm rrezikojnë rritjen e sëmundjeve seksualisht të transmeteushme, por edhe problemeve të tjera shëndetësore për këtë grup moshë.
Genta Qirjako, eksperte ISHP: Sjellje të tilla konsiderohen si sjellje të rrezikshme pasi është një fillim më i hershëm kryerjes së marrëdhënieve seksuale, çka e afron një vajzë apo djalë me pasoja shëndetësore të rrezikshme, që mund të lidhen ose me një shtatzëni të padëshiruar, ose me infeksione seksualisht të transmetueshme, në raste dhune apo çdolloj abuzimi seksual.
Por, më alarmante është fakti se raporti i OBSH e rendit Shqipërinë si një ndër vendet me përqindjen më të ulët të të rinjve që përdorin masa mbrojtëse.
Genta Qirjako, eksperte ISHP: Pothuajse 2/3 vajza, apo 1/3 djem raportuan se në marrëdhënien e fundit seksuale nuk kishin përdorur asnjë mjet mbrojtës.
Ajo që bie në sy është fakti se adoleshentet shqiptarë, vajzat 15-vjeçare nuk kërkojnë që në marrëdhënie seksuale të përdorin prezervativë apo pilulat kontraceptive.
Genta Qirjako, eksperte ISHP: Ka një diferencë të rëndësishme mes djemve dhe vajzave në përdorimin e mjeteve mbrojtëse, qofshin kontraceptivët oralë apo prezervativët. Prezervativi haset në përdorim të gjerë tek djemtë, por shumë më të ulët tek vajzat.
Ekspertët kërkojnë më shumë vëmendje ndaj të rinjve në këtë drejtim dhe kujdes duhet treguar nga familja dhe institucionet arsimore për edukimin e adoleshentët për përdorimin e masave mbrojtëse për një shëndet të sigurt.
Tv Klan