Në polici u denoncuan 3288 raste, blutë arrestuan 506 dhunues
Dhuna ndaj grave është ende një fenomen shqetësues në Shqipëri. Gjatë këtij viti të dhënat tregojnë se në 11 muaj 10 gra nuk i mbijetuan dhunës, ndërsa 3288 të tjera e denoncuan në polici. Aktivistët e të drejtave të njeriut shprehen se ky vit krahasohet me 2013, kur fenomeni ishte shumë problematik.
“Ky është një nga vitet më të vështira pas 2013 i cili ka shënuar një numër shumë të lartë vrasjesh”.
Pas denoncimeve të kryera në polici, mësohet se janë arrestuar 506 dhunues. Aktivistja Sevim Arbana në një intervistë për Klan News thotë se ka akoma punonjës policie të patrajnuar dhe që nuk i vlerësojnë siç duhet kallëzimet.
“Kemi një grup shumë të madh policësh që nuk janë trajnuar dhe janë gabimisht në vendet e tyre dhe vazhdojnë. Flas pë Tiranën, nuk po prek rrethet që është katastrofë. Zonjat e dhunuara në kulmin e stresit dhe problemit për të mbrojtur jetën e tyre dhe të fëmijëve, shkojnë 2-3 herë në polici dhe polici iu thotë:’Çfarë do ti? Do ta fusësh burrin në burg?”
Por sipas aktivistëve, ende ka raste që nuk denoncohen për shkak të rrethanave familjare.
“Ka një baba që i thotë ‘mos te polici se na turpëron’, nga ana tjetër mami i thotë: ‘Mos se na turpërove’, ka një presion shumë të madh”.
Vetëm në kryeqytet gjatë këtij viti janë lëshuar 938 urdhra mbrojtjeje, ku 796 kanë qenë të menjëhershme për shkak të rrezikut që u kanosej grave të dhunuara.
Klan News