2024-a ka rezultuar një tjetër vit rekord për turizmin me 11.7 milionë vizitorë të huaj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, hyrjet e të huajve në Shqipëri janë rritur me 15%, në krahasim me vitin 2023, kohë kur në vendin tonë pati një rekord prej 10.1 milion turistësh, që tashmë është tejkaluar.

Një lajm i tillë është komentuar në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Rama, i cili shkruan se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por vendi ynë ka shtruar për së mbari rrugën në rritjen e qëndrueshme në shifra, në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj.

“Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vetëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjioz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti.”

Në muajin Dhjetor rezulton se kanë hyrë në Shqipëri 654 mijë të huaj, një rritje kjo me 6.1% më shumë sesa në muajin e fundit të vitit 2023.

Tv Klan