Dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën lidhur me leje ndërtimi e legalizime

Policia e Shtetit nisi mbrëmjen e së mërkurës një operacion për të ekzekutuar 11 urdhër arreste të lëshuar nga Prokuroria e Sarandës për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hipotekës, legalizimeve dhe Inspektoriatit të Ndërtimit.

Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën lidhur me leje ndërtimi, legalizime apo mosveprime në zonën bregdetare të Ksamilit dhe Sarandës.

Të paktën tetë prej zyrtarëve janë arrestuar nga policia, ndërsa operacioni vijon.

Hetimet ndaj zyrtarëve dhe ish-drejtuesve të Hipotekës dhe Legalizimeve kanë nisur nga Prokuroria e Sarandës disa kohë më parë.

Mësohet se urdhër arrestet janë lëshuar për dy ish-drejtorë të Kadastrës së Sarandës vitet e fundit dhe për ish-drejtorin e ALUIZN-it, ndërsa personat e tjerë janë inspektorë të Inspektoriatit Kombëtar dhe Vendor të Ndërtimit dhe ish-punonjës të Agjencisë së Legalizimeve.


NJOFTIMI I PROKURORISË SË SARANDËS:

Tetë persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pasi në kundërshtim me ligjin lejuan ndërtimin e një objekti 7-katësh, hotel, pranë vijës bregdetare në qytetin e Sarandës dhe proceduan me legalizimin tij. Ndërkohë që tre persona të tjerë janë ende në kërkim.

Të 11 të pandehurit, pjesë e procedimit penal nr.37 të vitit 2024, janë nën hetim për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 186, 199/a/4 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas administrimit të provave në funksion të këtij procedimi penal, nga prokurori është urdhëruar ndalimi i 11 shtetasve me detyra dhe funksione te ndryshme shtetërore prej të cilëve është bërë i mundur ekzekutimi i ndalimit të 8 prej tyre të identifikuar si më poshtë;

E.S – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;

E.L – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;

I. P – Specialiste ne Drejtorine vendore të Ashk Sarandë;

V.Q – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

T. S – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

O.D – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

D.B – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë; dhe

M.S – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë

Nga policia gjyqësore vijon kërkimi për ndalimin edhe të tre shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale edhe të personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme dhe shkelje ligjore në ushtrim të detyrave shtetërore.


Klan News