47 vatra zjarri u identifikuan në 24 orët e fundit nga veriu në jug të vendit. Ministria e Mbrojtjes raporton se është bërë e mundur izolimi i plotë ose shuarja për 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

E tillë është ajo në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë ku zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

Në Tropojë, janë aktive dy vatra zjarri në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku flakët janë pranë Parkut Kombëtar të Alpeve. Edhe këtu terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen. Ndërsa në Bulqizë mbetet aktiv zjarri në fshatin Tërnovë.

Ndërsa në jug vatrat më problematike janë ato në malin e Pusit në Dropull dhe një tjetër në fshatin Kostar të Finiqit.

Në Mesopotam pasditen e kësaj të hëne ishte ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili ndoqi nga afër operacionin që po zhvillohet për më shumë se 24 orë për shuarjen e zjarreve.

Të angazhuara janë edhe forcat e ushtrisë. Edhe në këtë zonë situata cilësohet e vështirë, ku po operohet dhe me ndërhyrje nga ajri me anë të helikopterëve të ushtrisë.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako duke e cilësuar situatën e pazakontë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin, tha se Shqipëria i ka kërkuar ndihmë Drejtorisë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel, e kjo varet nga gatishmëria që kanë vendet partnere të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Vëngu tha se Agjencia e Mbrojtjes Civile pas kalimit të këtyre situatave se bashku me bashkitë do të kryejë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, në mënyrë që më pas pushteti vendor të vijojë me kompensimin për banorët e prekur.

Tv Klan