11.6 tonet e kanabisit të gjetur në një magazinë shkaktoi furtunë në policinë e Përmetit dhe të Gjirokastrës.

Inspektor Pëllumb Qamo, Komisar Kastriot Ndoj, me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet janë shkarkuar nga detyra.

Ndërsa për Komisarët Asim Beqiraj, Gentjan Shehu dhe Agim Fejzo, me detyrë Shef  Sektori për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët ka nisur procedim penal.

Për shkelje të rregullores janë marrë masa edhe  në Policinë e Gjirokastrës.

Procedim penal ka nisur për Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë Publike Fatmir Hoxha dhe Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Aranit Arapi.

Magazina me drogë në fshatin Pagri të Përmetit u zbulua nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministri  pas marrjes së një informacioni nga një burim anonim se në këto depo kishte sasi të konsiderueshme kanabisi.

Dy nga administratorët e depove janë arrestuar në flagrance, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Rustem Muçelli, 51 vjeç dhe Eqerem Ali, 60 vjeç ndërsa është shpallur në kërkim  Ismail Saliu, 61 vjeç. Edhe kryeplaku I fshatit Pagri, Koço Zaimaj, është ndaluar pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit.

/ TV KLAN

 ***

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas informacionit të administruar se në një ish-depo të Rezervave të Shtetit mbi fshatin Pagri të rrethit Përmet ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme  lëndë narkotike, bashkërendoi punën me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Shtetit për verifikimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në zbatim të planit të përbashkët operacional të hartuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA u realizua me sukses operacioni i koduar “Pagri 2017”.

Si rezultat i këtij operacioni rezultoi se në njërën nga tre depot u gjet e ambalazhuar në thasë plasmasi një sasi prej 11650 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Pas konstatimit menjëherë është vënë në dijeni dhe njoftuar  Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet, mbi lëndën narkotike të gjetur.

Në këtë kuadër u kryen një sërë veprimesh proceduriale dhe hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimi i lëndës narkotike të konstatuar, verifikimi i poseduesve dhe gjithë veprimeve të tjera të kundraligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera në vendngjarje u bë ndalimi i:

  • Rustem Muçelli, 51 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet

 

  • Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e:

  • Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në fshatin Pagri – Përmet.

 

Ndalimi i këtyre personave si dhe shpallja në kërkim e një tjetri u bë për arsye se ata, nga provat e grumbulluara rezulton se i kishin në përdorim depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre.

 

Gjithashtu në vijim të veprimeve është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri: 

  • Koço Zaimaj, 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri.

 

 Ndalimi këtij personi u bë pasi është me detyrë kryetar i fshatit Pagri dhe nuk ka kryer detyrat funksionale  në lidhje me ngjarjen  e mësipërme.

Materialet në ngarkim të këtyre personave janë dërguar në Prokurori për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim.

Në ngarkim të Koço Zaimaj, për veprat penale “Shpërdorimi i Detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Njëkohësisht me veprimet proceduriale, në lidhje me rastin e konstatuar pas zbulimit të sasisë me bimë narkotike, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e Policisë në strukturat vendore të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër si dhe të  Komisariatit të Policisë Përmet.

Sipas detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, duhej ushtruar kontroll në sera diellore, tunele të braktisura, ish-magazina të Rezervave shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.

Pavarësisht hartimit të planeve të veprimit si dhe ngritjes së grupeve të kontrollit, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Përmet dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër nuk janë ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet e përcaktuara, përfshirë edhe magazinat në fshatin Pagri.

Nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Përmet, si struktura përgjegjëse për kontrollin e territorit nuk është marrë asnjë informacion policor për kultivim, përpunim, grumbullim të lëndëve narkotike për vitin 2017 në territorin e Bashkisë Përmet.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Gjirokastër, për të cilët në bazë  për zbatim të Ligjit për ‘Policinë e Shtetit’ si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat disiplinore:

 

  • Inspektor Pëllumb Qamo, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Piskovë, Bashkia Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u përjashtua nga Policia e Shtetit

 

  • Komisar Kastriot Ndoj, me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

 

  • Kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit – u shkarkua nga detyra.

 

  • Komisar Asim Beqiraj, me detyrë Shef i Seksionit të Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

 

  • Komisar Gentjan Shehu, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

 

  • Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

 

  • Drejtues Fatmir Hoxha, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë Publike, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

 

  • Drejtues i Parë Aranit Arapi, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor.

 

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përmetit vijon hetimin për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe subjekteve të saj, të grumbullimit, mbajtjes dhe trafikimin e lëndës narkotike zbuluar dhe sekuestruar në datën 8 prill 2017 në Pagri të Përmetit./tvklan.al