Rreth 200 emigrantë kanë humbur jetën vetëm gjatë Janarit në tentativë për të mbërritur në brigjet e Europës. Shifrat i ka bërë publike Organizata Ndërkombëtare për Migracionin që konstaton dyfishim të numrit të emigrantëve, që janë dyndur drejt Europës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Italia ka qenë vendi pritës i shumicës së tyre, pavarësisht politikave të ashpra të ministrit të brendshëm Mateo Salvini kundër emigrantëve ilegalë. I vënë para këtyre shifrave, Salvini premtoi në mediat italiane ashpërsimin masave kundër dyndjes së emigrantëve deri në riatdhesimin e tyre pa asnjë tolerim.
Mateo Salvini, ministër i Brendshëm i Italisë:
Do të shpëtohen, siç bëri roja bregdetare libiane këtë fundjavë dhe do të kthehen prapa. Kështu njerëzit do të detyrohen të mos paguajnë skafistët për një udhëtim që nuk ka të ardhme, sepse përndryshe përfundojnë o me vdekje ose me një jetesë jo dinjitoze rrugëve të Italisë.
Politika të tilla, sipas zëdhënësit për Mesdheun në Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin Flavio di Xhakomo janë të rrezikshme. Ai e konsideroi të jashtëligjshëm rikthimin e emigrantëve në porte si ato të Libisë ku mbizotëroni pasiguria dhe tha se ky urdhër shkon përkundër konventave ndërkombëtare për refugjatët.
Tv Klan