Ngrohja globale hodhi një hap alarmant vitin e kaluar. Mesatarja e temperaturave vjetore u rrit për të parën herë me mbi 1.5 gradë Celsius gjatë 2024-ës, sipas përllogaritjeve të shërbimit europian për klimën “Copernicus”.

Vitin e kaluar, mesatarja vjetore u rrit me 1.6 gradë Celsius krahasuar me periudhën paraindustriale, duke kapërcyer për të parën herë, kufirin e përcaktuar 1 dekadë më parë në Samitin e Klimës në Paris. Sipas shkencëtarëve, kjo nuk do të thotë se parimet e marrëveshjes janë shkelur pasi bëhet fjalë vetëm për një vit, ndërsa limiti është vendosur në terma afatgjatë disavjeçarë.

Rritja e 2024-ës është një paralajmërim për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile që çlirojnë nivele të larta të dioksidit të karbonit në atmosferë, shkaktari kryesor i ngrohjes globale. Globi kërcënohet nga një katastrofë klimatike me pasoja të rënda, nëse kapërcimi i këtij kufiri shndërrohet në normalitet.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se shkrirja e akujve polarë, rritja e nivelit të deteve dhe shtimi i thatësirës në tokë, do të shtojë fenomenet ekstreme atmosferike duke rrezikuar ekzistencën e pjesës më të madhe të gjallesave përfshirë njeriun.

Tv Klan