Në këtë moment, bota po përjeton efektet që ndikimi i dorës së njeriut ka sjellë në natyrë. Bashkëjetesa dhe ekuilibrat janë prishur duke sjellë dukuri të forta natyrore, ndryshim të tokës, pasoja te gjallesat bimore e shtazore dhe zhvendosje të habitateve.

Sipas  shpjegimit të ekspertit të mjedisit Abdulla Diku në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, efektet e ndryshimit të klimës janë të dukshme përmes bimësisë. Pyjet kanë nisur një proces përmes të cilit  zëvendësojnë territoret e kullotave alpine.

Njëkohësisht është vënë re ardhja e disa dëmtuesve si rezultat i temperaturave të larta që po zhdukin disa lloje bimësh ose po i sulmojnë agresivisht.

Abdulla Diku: Në natyrë është vënë re dhe vihet re, tashmë periudha e vegjetacionit është shumë më e gjatë, ka më shumë sëmundje dhe  dëmtues të cilët nuk i kishim takuar më përpara, nuk i kishim njohur më përpara si të tillë në Shqipëri. Ka verë shumë të thatë, pra periudha e thatësirës është shumë më e gjatë, shumë më e madhe. Ka gjithashtu rënie të sasisë së reshjeve, ndërkohë që kemi ndryshueshmëri në intensitetin e reshjeve, kemi më pak reshje gjatë verës por shumë intensive kur bien. Në natyrë kjo vihet re në atë që quhet brezi i kullotave alpine, aty ku mbaron brezi i pyejeve dhe fillojnë kullotat e lartësive malore, kullotat alpine. Pyjet kanë filluar të zhvendosen më në lartësi si të thuash, me rreth 150-200  metra në disa zona, po pushtojnë territoret e kullotave të cilat më parë nuk kanë pasur bimësi pyjore. Ky është një proces që ne e kemi vënë re dhe vit pas viti po bëhet gjithmonë e më i dukshëm në mjediset natyrore.

Katerina Trungu: Kjo është shqetësuese sipas jush apo jo?

Abdulla Diku: Është shumë shqetësuese sepse dua të përmend vetëm dy shembuj lidhur me disa dëmtues dhe sëmundje që kemi në pyje për shembull. Është një flutur, flutura kineze, flutura e bushit quhet, bushi është një shkurre e vogël dekorative që përdoret në gjelbërimet e qyteteve, por ne e kemi edhe në masivet tona natyrore, në kodra, luginat e lumenjve, lugina e Drinit, Matit, Shkumbinit etj dhe ky dëmtues i ardhur para 4-5 vjetësh pothuajse po e zhduk bushin në mënyrë natyrore. Është një dëmtues agresiv i cili favorizohet  shumë nga ngritja e temperaturave pasi nga dy gjenerata që normalisht prodhon në shumicën e vendeve europiane, në Shqipëri ka arritur të prodhojë 4 gjenerata në vit, pra shumë agresiv dhe shumë intensiv.

Një tjetër problem kemi me pyjet e gështenjës me një insekt tjetër dëmtues që ka ardhur së fundmi. Ai quhet grerëza aziatike e gështenjës e cila redukton në mënyrë drastike prodhimin, pra gati 80-% të prodhimit e zhduk, e ul menjëherë për shkak të agresivitetit dhe intensitetit të këtij dëmtuesi. Po ashtu, kushdo që ka udhëtuar përgjatë luginës së lumit Vjosa, të gjitha rrapet atje që që kanë qenë natyralisht të mbjella,  janë zhdukur për shkak tëkancerit të rrapit./tvklan.al