Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, përpara ushtarëve dhe policëve tha se parakalimi i tyre sot, në sheshet qendrore të Prishtinës i mbush me krenari dhe u jep ndenja sigurie.

Kurti tha se armët që sot ushtarët e Kosovës mbajnë në duar, janë aq moderne e të llojllojshme dhe sipas tij, janë zgjatime të duarve të fuqishme të ushtarëve të Kosovës.

“Sot ritmi i hapave tuaj, i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur na kthen në ritëm të zemrave tona, neve që ju shohim me kaq admirim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë aq të llojllojshme e kaq moderne, shumë prej të cilave do të na tregoni sot për herë të parë, janë zgjatime të vetë duarve tuaja të fuqishme në gatishmërinë e përhershme për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial dhe dinjitetin e qytetarëve të saj”.

“Jam shumë i gëzuar të shoh bashkë me ju përparimin e madh dhe të shpejtë të FSK-së. Kjo është arritur si rezultat i investimeve dhe punës sonë të përbashkët shumëvjeçare, e veçanërisht gjatë 3 viteve të fundit. Është arritur falë më shumë se dyfishimit të buxhetit për ushtrinë, rekrutimit të 1 mijë e 852 ushtarëve të rinj, të cilëve këtë vit do t’i bashkohen edhe 300 të rinj, trefishimit të investimeve në armatime, prej nga ushtarët tonë që vetëm para pak kohësh kishin vetëm armatim të lehtë, tani janë pajisur me armë të kalibrave të rëndë, me mijëra tyta artilerie dhe deri me dronët Bayraktar, të cilëve së shpejti do t’i shtohet edhe sistemi amerikan raketor anti-tank ‘Javelin’”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i qeverisë tha se Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe më e mirëarmatosur, më e stërvitur dhe e shkolluar nëpër akademitë ushtarake më prestigjioze të ushtrive mike, por edhe kurrë më e fuqishme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e shtetit.

“Kjo nuk mund të ishte ndryshe, sepse Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja, që në krye dhe si prijës e kishte si shembull Adem Jasharin. Ajo UÇK që po kështu me pak armë personale e filloi luftën për çlirim, por me vullnet të pathyeshëm e arriti atë 25 vite më parë, bashkë me aleatët tanë”.

“Të dashur ushtarë, trashëgimia e gjithçka përfaqëson Adem Jashari dhe UÇK-ja është e përbashkuar mes jush te FSK-ja dhe te komandanti i saj, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, nipi i Ademit dhe i Hamzës. Nëse kthehemi në retrospektivë, pikërisht këtu ku jemi sot në Prishtinë në ditën e Çlirimit, përveç forcave të armatosura serbe që kishin nisur të tërhiqeshin nga këtu e nga e tërë Kosova, do t’i shihnim edhe njësitet e UÇK-së që nga malësia e Gollakut zbritën e hynë në Prishtinë. E në krye të tyre ishte Ejup Maqedonci, që në krye sot e kemi në krye të ministrisë së Mbrojtjes”.

“Pra, të dashur ushtarë, po iu drejtohem juve këtu duke e ditur që si asnjëherë më parë, rreth 1/3 e ushtrisë sonë ka zbarkuar sot dhe është rreshtuar në këtë paradë, që fillon pas pak në sheshin Skënderbeu. Fryma dhe tradita e UÇK-së, përveç që jeton e gjallë në zemrat tona, ajo është e vendosur edhe në krye të Ushtrisë së Kosovës, përmes njerëzve të dalë prej vetë saj dhe të nxjerr mes jush. Do të doja që në këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin tonë, kjo paradë e ushtrisë dhe policisë sonë, të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për lirinë. Do të doja që në 25-vjetorin e Çlirimit, para gjithë botës ta shpallim etikën e lirisë sonë”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se liria e Kosovës rrjedh nga angazhimi i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i të gjitha gjeneratave të cilat sipas tij, e ruajtën ëndrrën për lirinë dhe punuan e sakrifikuan për jetësimin e saj.

“Liria e Kosovës, erdhi përmes gjakut të dëshmorëve të lirisë dhe martirëve të rënë për të. Liria e Kosovës u arrit mes vuajtjesh të mijëra të burgosurve politikë, që kaluan qindra shekuj kohë nëpër burgje, në krye me Adem Demaçin”.

“Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj erdhi nga lufta e drejt e UCK-së, përfaqësues politik i të cilës ishte pikërisht baca Adem.  Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë dhe Serbinë e Millosheviqit, hynë në Kosovë më 12 qershor 1999. Atë ditë NATO hyri në Kosovë, kurse për ditë ne jemi më afër hyrjes në NATO”.

“Në historinë e popujve nuk ka asgjë më me vlerë se liria. Ndaj, teksa e kujtojmë ditën e Çlirimit të Kosovës, le të punojmë që ta bëjmë lirinë tonë sa më cilësore dhe ta mbrojmë atë nga çdo rrezik dhe kërcënim. Për atdheun tonë të dashur dhe për familjet tona të çmuara. Për historinë tonë të lavdishme dhe për të ardhmen tonë të ndritshme. Për vendin tonë, për Republikën e Kosovës, urime 25-vjetori Çlirimit”, tha Kurti.