Disa javë më parë emisioni ”Stop” në Tv Klan transmetoi një problematikë ne qytetin e Vlorës. Gjeladina Ramadani tregoi se në vitin 1993 privatizoi një dhomë në një apartament në këtë qytet. Dhoma tjetër e të njëjtit apartament, u privatizua nga Sulbena Balili.
Pas 30 vitesh, Balili e shet pjesën e saj takuese, por në dokumentet e shitjes ishte e gjithë sipërfaqja e apartamentit. Si të mos mjaftonte kjo, Gjeladina tha se kur u bë shitja ajo nuk mundi të futej në dhomën e saj, pasi pala tjetër ndryshoi bravat e ajo hyri me polici.
Në tetor 2024 Kledion Zenelaj bleu apartamentin nga Sulbena Balili dhe tregoi se ka blerë 40 metra katrorë e ka bërë dhe certifikatën e pronësisë. Noterja Niada Cela që ka bërë shitjen shpjegoi se çdo gjë e ka bërë konform rregullave e ligjeve. Rezulton se për të njëjtin apartament, janë hapur 2 numra pronësie dhe sipërfaqja nuk korrespondon me realitetin.
Pas interesimit të “Stop”, ASHK sqaron se do të duhet një deklaratë noteriale nga të dyja zonjat që pranojnë se sa metra kanë secila në mënyrë që të prodhohet certifikatë pronësie me sipërfaqen që ekziston në realitet.
Gjeladina Ramadani:Jam dakord me këtë, jam dakord!
Sulbena Balili: Kadastra të marrë topograf, të bëjë matjet dhe të bëjë tamam sa metra janë. Moj zonjë! Unë për veten time e bëj deklaratën te noterja dhe ta jap, nuk kam punë me Gjeladinën më unë./tvklan.al