Autoritetet italiane kanë identifikuar një shqiptar si viktimën që u qëllua për vdekje pas një grabitje që po kryhej në Santopadre të Frosinone-s. Sipas mediave ai quhet Arbër Xheleshi, 38 vjeç.
Karabinierët kanë mundur ta identifikojnë falë shenjave të gishtërinjve. Autoritetet kanë regjistruar hetim penal për vrasje të kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme për pronarin e shtëpisë që po binte pre e grabitjes, Sandro Fiorelli.

Xheleshi është njohur po ashtu nga disa familjarë që jetonin në provincën e Trentos. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Xheleshi nuk kishte vendbanim fiks, por jetonte në Campania, zonë ku ishin përqendruar hetimet e policisë.
Po ashtu mësohet se ka përfunduar edhe autopsia, e cila pritet të hedhë dritë të plotë mbi armën që ka përdorur Fiorelli për të qëlluar shqiptarin.

Shqiptari humbi jetën më 25 Tetor. Ai u vra nga pronari i një vile në qendër të Santopadre-s pasi kishte shkuar për ta grabitur. Shqiptari ndodhej me 3 persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende.

Pronari që e qëlloi, po ashtu kishte në pronësi një dyqan duhani, e cila kishte rënë pre e grabitjeve edhe më parë.
Fillimisht për këtë ngjarje u raportua se bëhej fjalë për një rumun që kishte mbetur i vdekur, por hetimet zbuluan vetëm një ditë më parë se ai ishte 38-vjeçari Arbër Xheleshi. Sipas mediave mendohet se grabitësi ka qenë i armatosur me armë./tvklan.al