Detaje të reja janë publikuar në mediat italiane në lidhje me vrasjen e 38-vjeçarit shqiptar, Arbër Xheleshi, i cili shkoi për të grabitur një vilë në Frosinone të Italisë, por mbeti viktimë pasi u qëllua me armë gjahu nga pronari i shtëpisë.

38-vjeçari ishte person me precedentë të mëparshëm kriminalë. Atij iu gjet me vete një patentë false rumune. Emri dhe të dhënat personale në atë leje drejtimi ishin të një banori që banonte në Suedi. Fotoja ishte e shqiptarit. Ka qenë ky detaj në fakt që ka bërë që fillimisht të raportohej për një grabitës rumun të vdekur dhe jo shqiptar pasi ngjarja ka ndodhur që me 25 Tetor.

Por vetëm 3 ditë më vonë, falë shenjave të gishtërinjve u zbulua se bëhej fjalë për Arbër Xheleshin. Trupi i pajetë u njoh nga dy të afërm të tij, një kushëri dhe një xhaxha, të cilët banojnë në Italinë e veriut. Nga hetimet është zbuluar se pronari i shtëpisë, Sandro Fiorelli ka qëlluar, në momentin që shqiptari i ka drejtuar një armë. Ka rezultuar se arma e shqiptarit ka qenë pistoletë lodër.

Sipas disa mediave italiane, pritet që së shpejti autopsia të vërtetojë faktin se shqiptari i ka ngritur dorën në pozicion për ta qëlluar italianin dhe kjo ka bërë që ky i fundit ta qëllojë. Një shenjë lehtësimi për familjarët e autorit, i cili tashmë do të duhet të përballet me akuzën për tejkalim të vetëmbrojtjes. Shqiptari është qëlluar nga një distancë e afërt në shpatullën e djathtë. Kjo është vërtetuar nga autopsia e cila është përfunduar të enjten.

Tashmë hetimet janë shtrirë edhe për të zbuluar bashkëpunëtorët e Xheleshit. Mësohet se ai ka qenë me disa persona të tjerë, të cilët dyshohen po ashtu të jenë shqiptarë. Autoritetet po këqyrin kamerat e sigurisë rreth vilës ku ndodhi ngjarja në mënyrë që të gjejnë hajdutët./tvklan.al