Në Porodinë të Korçës jeton familja Mekaj ku Erjoni, 39 vjeç, për shkak të një tumori në kokë ka humbur shikimin. Luani, babai i tij, tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan vështirësitë e jetesës dhe mosmarrjen e përgjigjes nëse e ka përfituar statusin e verbërisë që nga nëntori kur doli në komisionin epror.

“Stop” takon administratorin shoqëror në njësinë Bulgarec i cili tregoi hapat që ka ndërmarrë, por sipas tij përgjigja mund të vonojë.

Administratori shoqëror: Erjon Mekaj, kemi çuar dokumentacionin, dosjen është i verbër. E çuam në komision, e nxorrën pa grup, pastaj e çuam në Kemp Epror, e kanë thirrur për në Kemp Epror, por akoma nuk më ka ardhur dosja dhe përgjigja.

Gazetarja: Zakonisht, sa e vonojnë apo?

Administratori shoqëror: Varet! Me zotërinë gjithmonë kam kontakte, më merr dhe më pyet i them gjithmonë, që në momentin, që më vjen dosja mua, do të them.

Shërbimi Social Shtetëror në Tiranë bën me dije se përgjigja është pozitive dhe Erjoni përfiton grupin e parë me shoqërues. “Stop” vë në lëvizje drejtorinë rajonale të Korçës për të çuar dosjen sa më shpejt në njësinë administrative.

Luan Mekaj: Alo!

Gazetarja: Luan! Kam dy lajme të mira për të të dhënë. Përgjigjja është pozitive, djali e ka përfituar  statusin, grup i parë së bashku me shoqërues dhe maksimumi nesër ju do të lajmëroheni nga njësia administrative sepse përgjigjja është në Korçë.

Luan Mekaj: Faleminderit! Faleminderit shumë! Faleminderit “Stop”-it 100 herë!/tvklan.al