Në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një kërkesë për ndihmë nga një qytetare nga Tirana. Zonja tregon, se në rrugën “Mine Peza”, prej kohësh qëndron një person i pastrehë, që kalon aty të ftohtin e vapën.

Qytetarja: Kur zbret nga shkolla “Qemal Stafa”, për te rruga “Mine Peza”. Aty rri ai dimër, verë, në shi, në të ftohtë. Po mua, ku e di unë, më dhimbset! Se unë as e kam gjë, as e njoh, por unë sa herë kaloj aty në tunel, e shikoj atë person, edhe më vjen keq! Në qoftë se keni mundësi, ndihmojeni! Ndonjëherë i jap ndonjë gjë, blej ndonjë gjë ia jap aty për të ngrënë. I japin dhe plot njerëz.

Gazetarja: Aty e gjen gjatë gjithë kohës?

Qytetarja: Fle jashtë!

Gazetarja: I keni shkruar bashkisë më përpara ose shërbimit social.

Qytetarja: Jo, jo, jo.

Gazetarja: Direkt te “Stop”-i.

Qytetarja: Direkt tek ju! Faleminderit, në qoftë se bëni gjë!

Për këtë rast, “Stop” vuri në dijeni Shërbimin Social Shtetëror, ku drejtori Alfred Muharremi shkoi me grupin në terren, për ta sistemuar tek “Strehëza” e Bashkisë Tiranë.

“Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor e Qarkut të Tiranës është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Menjëherë detyra ime funksionale është raportimi i menjëhershëm i strukturës që është atashuar pranë Bashkisë së Tiranës që është që është një strukturë e posaçme, që është Qendra Kombëtare e Terrenit e cila bën një skanim të situatës së zotërisë, që është në gjendje rruge. Do i ofrohet qoftë shërbim mjekësor, qoftë shërbim strehimi në një nga qendrat tona kombëtare të strehimit. Që në këto momente unë do të njoftoj Urgjencën Kombëtare, por gjithashtu edhe drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Terrenit që të merren dhe të trajtojnë rastin me prioritet. Po shkojmë menjëherë në vendndodhjen e qytetarit që është raportuar,” tha Alfred Muharremi.

Nga ana tjetër, Bledar Xhizdari, Përgjegjës i Sektorit për të rriturit në situatë rruge, me grupin e tij, morën personin me urgjencë dhe e dërguan në QSUT, ku iu bënë të gjitha procedurat.

“Pas njoftimit të emisionit “Stop” skuadra e terrenit do të shkojë në zonën e rrugës ‘Mine Peza’ ku u identifikua rasti në fjalë. Rasti është i braktisur nga familjarët dhe skuadra e terrenit njoftoi Urgjencën Kombëtare dhe Policinë Bashkiake për suportin e rastit. U shoqërua në spitalin ‘Nënë Tereza’ ku mori shërbimin e nevojshëm,” tha Bledar Xhizdari.

Më pas qytetari Skënder Rrapaj u sistemua tek “Strehëza”.

 “Zoti Skënder është shoqëruar nga skuadra e terrenit drejt qendrës sonë ku më pas ka marrë shërbimet që qendra ofron, higjienizimin, ushqimin dhe gjithashtu dhe kujdesin mjekësor për të cilin Skënderi ka pasur nevojë,” tha punonjësi Geraldo Vejlollari./tvklan.al