Babait të Arbër Çekajt iu gjetën 49 kg kokainë në 2021
Selim Çekaj nuk ka patur dijeni për ngarkesën prej 49 kilogramësh kokainë të gjetur në konteinerët me banane që vinin nga Ekuadori në 2021.
Me këtë argumentim, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve për 73-vjeçarin, babain e Arbër Çekajt të dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë të sekuestruara në 2018.
Nga hetimi i SPAK, ka rezultuar se Selim Çekaj nuk ka lidhje me sasinë e kokainës së gjetur në konteinerët e kompanisë nën administrimin e tij, “Ecoalmax”.
Në këto kushte Prokuroria e Posaçme, vijon hetimin për identifikimin e personave të cilët kanë futur sasinë e konsiderueshme të kokainës në konteinerët e 73-vjeçarit, me qëllim trafikimin drejt vendit tonë.
Selim Çekaj u arrestua në Prill të 2021, kohë kur policia i gjeti dhe sekuestroi atij ngarkesën prej 49 kilogramësh kokainë.
Fillimisht për të, gjykata vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, ku qëndroi nga Prilli deri në Tetor 2021. Më pas me kërkesë të SPAK, togat e zeza caktuan “arrest në shtëpi” e më tej në “detyrim për paraqitje”.
Që prej arrestimit të tij, por edhe gjatë hetimit, 73-vjeçari, Selim Çekaj ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me drogën.
Tv Klan