Në kuadër të operacionit policor të koduar “Interruption 2” janë arrestuar 2 persona, të cilët bashkëpunonin për transportimin e 6 thasëve me kanabis, gjithsej 60 kilogramë. Konkretisht, kanë rënë në prangat e Policisë 35-vjeçari me iniciale K.U., banues në Krujë dhe 26-vjeçari me iniciale A.R., banues në Mat.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se ata po transportonin një sasi lënde narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Luz, Fushë-Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 35-vjeçarin, në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me kanabis. Ndërkohë, 26-vjeçari drejtonte një automjet tjetër pasi kontrollonte rrugën dhe njoftonte 35-vjeçarin nëse kishte prezencë të forcave policore.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim 28-vjeçari me iniciale S.D., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash.
Mësohet se 1 kilogram i kanabisit do të shitej në vlerë 1200 Euro, që në total përkthehet në 72000 Euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./tvklan.al