Haxhi: Dyshime të besueshme se kryhet evazion fiskal
6 100 biznese, të cilat rezultojnë me risk të lartë në sistemin e tatimeve do të kontrollohen nga hetimi tatimor. Në një intervistë për Televizionin Klan, Zv/ministri i Financave Elton Haxhi, thotë se fusha ku këto sipërmarrje operojnë janë ndërtimi, sektori i naftës, cigareve, tregtisë dhe turizmit.
Ministria e Financave është e shqetësuar lidhur me procesin e vjeljes së tatimit mbi vlerën e shtuar, pasi siç thotë Zv/ministri Haxhi, ka mospërputhje të faturave të TVSH-së që lëshohen nga biznesi i madh me shumën që duhet të priten nga biznesi i vogël, duke hapur dyshime të besueshme për evazion fiskal.
Elton Haxhi thotë se aksioni nuk do të përfshijë ashpërsim të masave ndëshkuese për bizneset.
Përveç aksionit në terren, administrata tatimore do të kontrollojë edhe 15 mijë biznese, të cilat rezultojnë aktive por kasa fiskale nuk bën raportimin në sistemin online të tatimeve. Kontrolli do të ushtrohet edhe në kompanitë të cilat ofrojnë shërbimin e mirëmbajtjes së kasave.
Tv Klan