Gjatë një konference me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri me dije se në programin e selisë blu është përcaktuar edhe vendosja e një karte për konsumatorët.

Ai theksoi se kjo lëvizje do të bëhet për të ngushtuar hendekun e krijuar në shoqërinë shqiptare. Me kartën e Konsumatorit, çdo pensionisti, familjeje në minimumin jetik dhe çdo invalidi do të rimbursohen 100% TVSH-ja e produkteve bazë të shportës.

“Po në kuadrin e programit tonë për të përmbysur shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, për të ngushtuar sadopak këtë hendek të frikshëm të krijuar në shoqërinë shqiptare, dal sot para jush për të informuar qytetarët se do vendoset me urgjencë karta e konsumatorit, me të cilën do rimbursohet 100 përqind TVSH-ja e produkteve bazë të shportës për çdo pensionist, për çdo familje në minimumin jetik, për çdo invalid, pa përjashtim”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, karta të jep dy rrugë për të proceduar.

“Ka një rrugë për të ulur TVSH-në ose për të hequr TVSH-në për ushqimet, por kjo përsëri barazon ata që nuk mund t’i barazosh. Nuk mund të barazosh ti atë që merr 7 mijë euro për të fjetur mbi dosjet e krimit çdo natë, e plus sa merr nga krimi, me këtë që numëron kafshatat me 160 mijë euro. Ndaj për të mos krijuar këtë barazi, jo, ekspertët sugjerojnë që të mbetet TVSH siç është dhe të gjithë këta, 780 mijë pensionistë, të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, etj, se edhe ata paguajnë TVSH, TVSH-ja e produkteve bazë t’u rimbursohet 100 përqind. Ekspertët e ekonomisë dhe fushës dixhitale kanë një skemë të shkëlqyer për të shmangur çdo lloj evazioni, pasi çdo faturë e atyre që paraqesin këtë kartë, do depozitohet në një server dhe në krye të 6 muajve do bëhet bilanci, 20-30 ditë mbrapa dhe poseduesi i kartës do marrë të gjithë pagesat që ka bërë për TVSH-në”, tha Berisha.

Kryedemokrati paralajmëroi se së shpejti do të vijë edhe një skemë për çmimin proporcional të energjisë dhe ujit për pensionistët dhe shtresat në nevojë./tvklan.al