Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar disa herë se qeveria do të nisë një aksion ndaj bizneseve që nuk paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve.

Në një takim me pensionistët në Durrës për të bashkëbiseduar për skemën e re të pensioneve, Rama ndër të tjera foli edhe për raste evazioni nga shumë biznese.

Një pjesë e këtyre bizneseve, tha Rama, janë identifikuar dhe denoncuar në Prokurorinë e Tiranës.

Por, sipas Kryeministrit, prokurorët i kanë mbuluar dosjet e evazionit.

“Keni dëgjuar ju deri më sot që ndonjë sipërmarrës të merret i pandehur për evazion? Nuk keni dëgjuar. Për shmangie taksash me miliona. Mendoni ju që nuk ka? Patjetër që ka. Mendoni që administrata nuk i ka identifikuar disa prej tyre? I ka identifikuar. Mendoni që nuk ja ka referuar Prokurorisë? Ja ka referuar. Në Prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazorë që më vjen keq ta them, por që e kanë Prokurorinë në xhep. Unë nuk gjej asnjë shpjegim tjetër.

Është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur, sepse ju thatë që ligji e ruan rendin ekonomik, financiar. Jam shumë dakord. Por në qoftë se ligji nuk vepron për këtë kategori, si për gjithë të tjerët, atëherë ne kemi një problem të madh, sepse hallka e fundit e zinxhirit na mungon. Prandaj është jo e lehtë. Megjithatë, ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe kemi një plan që na e mundëson një zhvillim tjetër që kemi bërë, që është dixhitalizimi i transaksioneve. Bizneset i kemi në sistem të dixhitalizuar të transaksioneve. Edhe aty kanë filluar të bëjnë hile, por tani kemi një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale që do të jetë e pamundur të na shmangen nga detyrimet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al