Enti Rregullator i Energjisë, ERE, do të vendosë të mërkurën për aplikimin e OSHE-së, për uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Në mbledhjen e bordit që do të mbahet në orën 11:00 do të diskutohet çmimi i shitjes me pakicë për Klientët e Shërbimit Universal për periudhën 1 Shkurt 2025-31 Dhjetor 2025.
Burime bëjnë të ditur se propozimi parashikon ulje të çmimit të energjisë vetëm për klientët familjarë dhe prej tij përjashtohen kategoritë e tjera.
Gjithashtu mësohet se gjasat janë që çmimi i ri të aplikohet me fasha dhe skenarët që janë në tavolinë janë ato mes 700 dhe 800 kilovat orëve.
Pra të gjithë abonentët familjarë që do të harxhojnë deri në 700 ose 800 kilovat orë në muaj do ta paguajnë energjinë me çmimin e ri, i cili gjithashtu do të vendoset nga ERE.
Aktualisht çmimi i energjisë është 9.5 Lekë për kilovat orë pa TVSH dhe çmimi i ri do të jetë më i ulët sa ai aktual.
Ky vendim pritet të prekë rreth 80% të konsumatorëve familjarë.
Rishikimi i fundit i çmimit të energjisë elektrike ishte ai i vitit 2014, kohë kur u hoq sistemi me dy fasha prej 300 kilovat orësh dhe çmimi u unifikua në atë që është sot.
Politika e uljes së çmimit të energjisë është një nismë e qeverisë për të nxitur kursimin e energjisë, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.
Tv Klan