Një grua 64-vjeçare i është drejtuar emisionit “Stop” në Tv Klan për të denoncuar se është dhunuar nga një 40-vjeçare në ambientet e jashtme të një supermarketi.

Sherri nisi për radhën e pagesës tek arka. Ngjarja ka ndodhur në Korrik të vitit 2019 në Kamëz.

Emisioni “Stop” ka siguruar pamjet filmike të kamerave ku duket qartë që 40-vjeçar qëllon me shishe në kokë gruan 64-vjeçare prapa krahëve.

E dhunuara mori raport 9-ditor nga mjeku dhe më pas bëri denoncim. Por, Prokuroria ka pushuar hetimet.

 “Atë ditë unë shkova në market për të blerë diçka. Aty ndodhi një incident për punë radhe. Ramë dakord në rregull vazhdo. Pasi dola, ajo më tha prit aty se ta tregoj unë. Dhe sa kam dalë, ajo më ka ardh nga mbrapa dhe më ka goditur në kokë me shishe, më goditi fort. Më pas unë ika në komisariat. Bëra kallëzimin. Unë nuk e njoh fare, as e kam njohur. Hera e parë që më erdhi nga mbrapa dhe më goditi direkt. Nuk e di pse. Ajo kishte moshën 40 vjeç. Unë atë ditë kam bërë kontrollin se më ka goditur në kokë nga mbrapa sa m’u bë gungë. Dhe ai i ekspertizës tek spitali “Nënë Tereza” më tha do t’ja çojmë Prokurorisë. Edhe më tha shko tek lagjia që të marrësh raportin mjekësor. Mora raport për 9 ditë me diagnozë ‘contuzio capitis’, goditje në kokë. Prokuroria i mbylli hetimet dhe unë ju drejtova Stopit se nuk më kanë zgjidhur deri tani asnjë gjë”, tregon gruaja e dhunuar.

Të gjitha këto fakte nuk kanë qenë të mjaftueshme për Prokurorinë e Tiranës. Avokatja Eda Grimci shpjegon se e dëmtuara mund ta çojë cështjen në Gjykatën Civile dhe të kërkojë dëmshpërblim. Përsa i përket vendimit të pushimit, avokatja thotë se ka mangësi të patolerueshme në afate.

Avokatja Eda Grimçi: Zonjës i lind e drejta që pas përfundimit të këtij procesi penal ti drejtohet Gjykatës Civile dhe të kërkojë dëmshpërblimin për shkaktimin e dëmit shëndetësor, psikologjik dhe moral, pasi ndodhemi në kushtet kur zonjës i është shkaktuar vërtetë një dëm, pavarësisht 9 ditë raport mjekësor apo më tepër se 9 ditë. Në lidhje me kohën lidhur me kallëzimin penal, është regjistruar në datën 24.07.2019. Prokurores i ka shkuar dosja, ku thotë që në muajin Tetor në datën 24 dhe ka vendosur mosfillimin. Kur ekzistojë rrethana që nuk lejojnë fillimin e procedimit, prokurori jep vendimin të arsyetuar për mosfillimin e procedimit brenda 15 ditëve nga regjistrimi i kallëzimit. Duke patur parasysh që kallëzimi është bërë në datën 24.07.2019, për 15 ditë Prokuroria duhet të ishte shprehur. Minimalisht, sikur të marrim parasysh të gjitha rrethanat në të cilat mund të kishte vonesë, kjo gjë duhet të ishte mbyllur që në fillimin e muajit Gusht. Pasi kallëzimi është bërë në datën 24.07 dhe duhet të ishte mbyllur në fund të muajit Gusht. Është e pakuptueshme përse është marrë nga Prokuroria në Tetor të datës 24. Duke mos patur asnjë datë këtu se kur është marrë ky vendim, nuk mund të prononcohem.  /tvklan.al