Të dielën në Kosovë janë regjistruar edhe 8 viktima të reja dhe 220 raste me COVID-19, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ky rezultat vjen pas testimit të 472 mostrave, njofton instituti.
Deri më tani, numri total i rasteve pozitive është 7.137 raste nga 34.316 persona të dyshimtë , me gjithsej 177 raste të vdekjes të cilët thuhet se kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërkaq, 121 pacientë janë shëruar nga koronavirusi duke e çuar numrin total të të shëruarve në 3.874. Numri i rasteve aktive me COVID-19 është 3.086, njofton instituti.
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë duke u trajtuar 564 raste, prej tyre 354 të konfirmuar me COVID-19 të shtrirë në klinika dhe spitale rajonale. Prej tyre, 353 me oksigjenoterapi, ndërkaq 17 në respiratorë dhe 18 në ventilim mekanik.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur të shtunën në një konferencë për media se nga gjithsej shtatëqind shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale, vetëm edhe 130 shtretër kanë mbetur në dispozicion për personat e infektuar me koronavirus.
Ai tha se aktualisht institucionet përkatëse janë duke punuar në riorganizim të ri në QKUK dhe ndoshta mbylljen e disa klinikave për t’i shfrytëzuar më pas ato për personat e prekur me koronavirus. /REL