Shërbimet thellojnë humbjet, bie kërkesa konsumatore
Pavarësisht rihapjes së ekonomisë pas karantinimit të vendit në pranverë, situata e bizneseve në vend vazhdon të jetë e vështirë. Në një anketë të realizuar nga Banka e Shqipërisë, 84% e ndërmarrjeve janë përgjigjur se pandemia ka prekur veprimtarinë e tyre, ndërsa sektori i shërbimeve rezulton të jetë përkeqësuar më shumë gjatë muajve Qershor-Shtator.
79% e këtyre biznesve në prill përgjigjeshin se pandemia ka prekur aktivitetin e tyre, ndërsa në fund të Shtatorit, këtë rënie e raportuan 86% e sipërmarrjeve të shërbimit. Më të ndikuarat nga pandemia rezulton zinxhiri i bizneseve të vogla, ku edhe pas rihapjes së ekonomisë kanë raportuar rënie të shitjeve.
“Bizneset vijojnë të vlerësojnë si më të rëndësishmen uljen e kërkesës nga klientët vendas. Rëndësia e këtij faktori është rritur në krahasim me fillimin e pandemisë: rreth 42% e përgjigjeve të bizneseve në shtator, në krahasim me 34% në prill.”
30% e sipërmarrjeve të anketuara janë shprehur se kanë shtyrë në kohë pagesën e detyrimeve të tyre, ndërsa 27% ka ulur përkohësisht numrin e punonjësve.
Bizneset presin që situata të kthehet në normalitet pas 10 muajsh, ndërsa në Prill e konsideronin gjendjen e pandemisë si të përkohshme.
Tv Klan