“Divorcet ndër vite kanë ardhur në rritje në Shqipëri, por zgjidhja e martesës ende nuk pranohet nga familjet shqiptare. Të dhënat tregojnë se në 90% të rasteve zgjidhja e martesës përfundon pa marrëveshje mes palëve”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.
“Procesi për zgjidhjen e martesës me kërkesë të njërit bashkëshort është e kondicionuar edhe nga fakti që të dy bashkëshortët nuk mund të paraqiten përpara gjykatës. Ka disa raste kur njëri nga bashkëshortët i pakënaqur nga mënyra se si është zhvilluar historia e marrëdhënieve bashkëshortore nuk është i kënaqur për zgjidhjen e martesës dhe nxjerr pengesa procedurale, më e zakonshmja mosparaqitja në gjykatë, zgjatja e proceseve gjyqësore”, tha Ylli Kameri, avokat.
Sipas sociologëve, mospranimi i divorcit në Shqipëri lidhet me disa arsye, dhe kryesorja paragjykimi nga shoqëria e cila e quan dështim zgjidhjen e martesës.
“Familjet shqiptare e kanë të vështirë ta përtypin në çastet e para vendimin që merr një apo të dyja palët. Ka edhe arsye që lidhet me traditën tonë ku familja është e rëndësishme dhe një familje që çbëhet është një dështim”, tha Entela Binjaku, sociologe.
Sipas ekspertëve zgjidhja e martesës nuk pranohet as nga vajzat e reja të arsimuara. Në Gjykatën e Tiranës janë afro 2 mijë çështje të depozituara për zgjidhje martese.
Tv Klan