Monika Kryemadhi pranon se bashkëshorti i saj, Presidenti Ilir Meta nuk është dakord me qëndrimin që po mban partia e drejtuar prej saj. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, në studion e “Opinion”, Kryemadhi tha se nëse në krye të LSI do të kishte qenë ende Meta, deputetët e kësaj force politike nuk do t’i kishin djegur mandatet e tyre.

“Shumë njerëz zhgënjehen nga deklaratat e mia. Normal që Meta do të jetë i pakënaqur nga vendimet radikale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse gjithmonë LSI për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, ka qenë si një valvul shkarkimi e tensionit dhe e konfliktit.”

Pra ju po thoni që Ilir Meta ka qenë valvul për Edi Ramën?

“Po, Ilir Meta gjithmonë i ka krijuar shanset dhe mundësitë Edi Ramës për të kaluar ngërçet kur ka bërë gafa të tilla. Por unë mendoj se fenomeni Edi Rama duhet të mbarojë tashmë, jo vetëm për Ramën, por për këdo tjetër që kërkon të ndërtojë një institucion të liderit të fortë. Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë, ka nevojë për shtet të fortë dhe institucione të forta”.

Pra ju nuk jeni dakord me deklaratat e Presidentit?

“Absolutisht nuk jam dakord me deklaratën e Presidentit. Zoti President ka shumë të drejtë që mendon dhe ky është opinioni i tij, por ajo që unë mendoj është se Zoti President duhet të marrë përgjegjësitë e tij për situatën në të cilën gjendet sot Shqipëria. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese… sepse kush e detyron opozitën të largohet na parlamenti, mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Zoti President e ktheu ligjin për teatrin 2 herë, ku mund të ankimohemi ne pa Gjykatën Kushtetuese për ligjin për teatrin?”

Jo Presidenti i Republikës, por Ilir Meta, çfarë mendimi ka kur ju flisni me të? Mban qëndrimin mosaprovues ndaj jush si President për hir të postit që ka, apo realisht e mendon ashtu?

“Jo realisht e mendon ashtu, sepse Ilir Meta është njeri i institucioneve dhe do që ne ta ushtrojmë funksionon tonë në institucion. Po të kishte qenë ai kryetar i LSI, nuk do t’i kishte djegur mandatet. Jam shumë dakord me logjikën e Ilir Metës, nëse përballë do të kishte një njeri të logjikshëm. Por nëse përballë ke një të çmendur, ke vetëm dy rrugë, ose gjilpërën ose elektroshokun.”

Më tej, Kryemadhi e akuzoi Kryeministrin Rama se ka darkuar me banda kriminale dhe sipas saj këto takime janë regjistruar nga ish-Ministri Saimir Tahiri. Kryetarja e LSI tha se Tahiri e kërcënon Ramën pikërisht me këto pamje.

“Po mund t’i thuash i çmendur, sepse një Kryeministër që merr pronën e shtetit dhe thotë do të ndërtoj kullën këtu… një Kryeministër që darkon dhe regjistrohet nga ish-Ministri i Brendshëm me banda kriminale që janë në kërkim në vendet e tjera.”

Nga cili ish-Ministër i Brendshëm është regjistruar?

“Nga Saimir Tahiri… me këtë e kërcënon Saimir Tahiri Edi Ramën. Dhe akoma aparati me të cilin e ka regjistruar Tahiri është në Ambasadën italiane, e mban ambasadori italian. Gruaja e tij, që ka qenë këshilltare e ish-Minitrit të Drejtësisë bëri deklaratën atëherë, që ishte dakord me ekstradimin e Naser Seitit, që për këtë do të mbajnë përgjegjësi ata që e firmosën ekstradimin e tij… Është një histori kaq e koklavitur”.

/tvklan.al