Falja është një virtyt shumë i rëndësishëm njerëzor dhe falja e atyre që ndonjëherë na kanë vënë në pozitë të vështirë ose na kanë shkaktuar probleme serioze mund të jetë pjesë e procesit me anë të të cilit do të kapërcejmë traumën tonë.
Megjithatë ka psikologë që nuk kanë këtë pikëpamje. Ata mendojnë se falja shpesh herë është e panevojshme dhe japin disa arsye për këtë. Psikologu i njohur Ramani Durvasula, i specializuar për rastet e traumave psikologjike që vijnë si pasojë e marrëdhënieve të caktuara thotë se motoja “falja të ndihmon të shërosh” nuk duhet të ekzistojë. “Presioni për të falur ka bërë që shumë njerëz të ndihen fajtorë gjatë gjithë jetës së tyre ose të falin para se të vijë koha e duhur”, thotë ai. Sipas tij falja e personave që na kanë sjellë dhimbje, nuk shërben aspak për t’u përmirësuar.
“Nëse dikush na ka privuar qetësinë shpirtërore, ai ose ajo nuk meriton falje”, theksoi ai. Një arsye tjetër pse Durvasula e konsideron jo të duhur aktin e faljes, është se ajo gjë mund ta bëjë personin në fjalë të na dëmtojë vazhdimisht.
Në të njëjtën linjë me të është edhe ekspertja Shannon Thomas. Ajo thotë se personalisht ka zgjedhur të ndërpresë kontaktet me këdo që e ka lënduar dhe se nuk “do t’i falë kurrë”.
“Nuk do t’i fal kurrë për atë që bënë sepse ndryshoi mënyrën se si e pashë veten. M’u deshën vite për t’u rikuperuar”, thotë ajo.
Dr. Ramani tha se duhet të kemi parasysh se njerëzit që na kanë lënduar dhe ne mund të falim, ka gjasa të lëndojnë të tjerët, ndaj nuk kemi arsye t’i inkurajojmë në këtë proces.
“Nëse falni pa e menduar dhe pa kapërcyer traumën, ju po gënjeni veten.”/tvklan.al