Historia e radhës për bullizmin në “Gjenerata Alfa” vjen nga një prej të rinjve që këtë herë ka zgjedhur të jetë anonim. Në insertin e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo prezantohet si Erika, 16 vjeç dhe që aktualisht ndjek një gjimnaz privat, ndërsa vitin e parë e ka kryer në një prej gjimnazeve publikë në periferi të Tiranës.
Erika tregon se si një profil në Instagram që postonte foto të sajat me ofendime e fyerje i shkaktoi dëm psikologjik. Ajo qante vazhdimisht, kishte frikë të kërkonte ndihmë dhe tentoi të lëndonte veten.
“Në vit të parë kam rënë pre e një ngacmimi në Instagram. Kam qenë në një klasë problematike, ka pasur edhe sherre mes vajzave. Bënin video live në orën e mësimit, të ngacmonin, bënin foto. Më tepër problem ka qenë ora e fizkulturës ose pushimi i gjatë ku vajzat më ngacmonin, madje njëherë tentuan të më godisnin. Këto vajzat bënin video live dhe shanin ato që kishin inat. Ishin grup dhe kisha shumë frikë se po t’u kthehesha do të më godisnin.
Një ditë shoqja e ngushtë më dërgon një faqe në Instagram me foto të miat. U përpoqa shumë me miqtë e mi që t’i bëja ‘report’ por profili nuk mbyllej. Pas disa kohësh, aty postoheshin foto të miat ku më ofendonin dhe më shanin. Kur shkoja në shkollë, të gjithë më gjykonin dhe më rrinin larg. Ka pasur raste kur mbyllesha te banjot e shkollës dhe qaja me orë të tëra. Kisha shumë frikë se po t’i thoja drejtoreshës ose prindërve, ata që kishin profilin do të postonin më tepër foto. Kjo ishte hera e parë që tentova të lëndoja veten se më dukej sikur isha unë problemi. Doja të prisja damarët. U mbylla në banjë duke qarë se nuk kisha guxim. Kur prindërit më dëgjonin, u thoja se po qaja për një notë në shkollë. Ditë më vonë, mami e gjeti briskun në çantën time dhe në atë moment i tregova gjithçka.
Kam ndërruar shkollën tani dhe falë ndihmës së psikologes, po ndihem shumë më mirë. Jam shumë e lumtur që nuk pata kurajën të bëja një veprim fatal, edhe pse e di shumë mirë që aty jashtë ka shumë si unë”./tvklan.al