“Njeriu nuk mund të falë pafundësisht,” kështu është shprehur në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan hoxhë Hajredin Dizdari. Duke folur rreth konceptit të hakmarrjes apo faljes, dhe se si duhet të veprojë njeriu në rastet kur ndodhet përballë këtyre dilemave, hoxha duke iu referuar u shpreh se ka një vizë të kuqe sa i përket faljes. Sipas tij feja e shtyn njeriut drejt faljes dhe tolerancës, por kjo ka një kufi dhe gjithmonë është në dorë të njeriut se deri në cilën pikë mund të falë.

“Varet se sa i madh është dëmi që të është shkaktuar, që këtu fillon e gjitha. Pra nëse dëmi është i rikuperueshëm, nuk ka një masë të madhe atëherë e mira është që njeriu të falë. Profeti Muhamed thotë që ‘falini ata që janë në tokë, që t’iu falë ai që është në qiell”, pra tregoni mëshirë ndaj njerëzve aq sa të keni mundësi. Normalisht njeriut i dhemb padrejtësia që atij i bëhet dhe padyshim që Zoti nuk është i verbër ndaj padrejtësive që njerëzve u bëhen. Zoti i shikon të gjitha. Madje Profeti Muhamend thotë se nuk ka perde mes atij njeriu që i është bërë padrejtësi dhe i lutet Zotit. Pra nëse ai i lutet Zotit për padrejtësinë që i është bërë, Zoti ia pranon atij lutjen. Padyshim që ka një kufi, njeriu nuk mund të falë pafundësisht sepse i bie që njeriu pastaj të jetë kosh i dëshirave të njerëzve të tjerë për t’i bërë atij padrejtësi. Ka një lloj kufiri gjithmonë dhe kufirin e vendos vetë njeriu, sa përballon, sa mund ta falë dikë dhe sa nuk mund ta falë dikë. Normalisht ne si besimtarë jemi të udhëzuar drejt faljes, jemi të orientuar drejt mëshirës dhe tolerancës, por që gjithmonë ka një vizë të kuqe, që them “stop këtu nuk tolerojmë dot”. Pra mbajmë qëndrimin tonë dhe themi që nuk falim dot për këtë pjesë,” tha hoxha.

Sa i përket hakmarrjes, Hajredin Dizdari u shpreh se në fe marrja hak apo vetëgjyqësia nuk ekziston. Ai sugjeroi që të tilla raste t’i kalohen autoriteteve për të marrë masat procedurale të nevojshme.

“Hakmarrja pastaj është diçka tjetër. Në konceptet fetare apo islame gjithmonë sa i përket vetëgjyqësisë janë gjëra që nuk lejohen, pra i lihet gjithmonë shtetit dhe autoritetit që të marrë masat e nevojshme sa i përket një të padrejte, apo një të drejte të marrë me dhunë nga një person tjetër. Në islam koncepti i hakmarrjes personale apo i vetëgjyqësisë për një dëm që të është bërë nuk ekziston,” u shpreh Hajredin Dizdari./tvklan.al