Sejda, një prej vajzave të rubrikës “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndan me të rinjtë e tjerë historinë e saj të bullizimit. Ajo tregon se gjithçka nisi rreth moshës 13-vjeçare dhe vijoi për 2 vite e gjysmë. Motivi për të cilin shokët e klasës e bullizonin ishte pesha prej së cilës merrte komente lënduese.

Sejda: Kur unë kam qenë më e vogël, gjithmonë kam qenë një fëmijë topolake, pak mbipeshë dhe duke u rritur, fillova duke shtuar akoma më shumë peshë. Kur isha 13 vjeç ka qenë ai kulmi im kur isha shumë e shëndoshë, diku te 70 kile.

Ardit Gjebrea: Dhe? Çfarë ndodhi?

Sejda: Pastaj, normale në momentin që ti je pak më ndryshe nga të tjerët, kur nuk je shumë në formë dhe mbipeshë është si një lloj motivi që shumë fëmijë të të pikasin, sdidomos këta që ndihen më superiorë ndaj teje dhe nisin të thonë fjalë që ndoshta ty të prekin.

Ardit Gjebrea: Si nisi?

Sejda: E gjitha nisi në klasë, me bashkëmoshatarët e mi. Gjatë orës së mësimit, kur unë rrija dhe dëgjoja mësimin, shumicën e kohës nuk i pëlqeja as zhurmat nga mbrapa dhe sa herë që u thoja mjaft, pusho, nisnin këto termat “pusho ti lopë, kush je ti që flet”, domethënë donin që të më bënin të ndihem shumë keq me veten time, me peshën time.

Sejda thotë se shtëpinë e shihte gjithnjë si mjedisin e sigurt, ndërsa shkollën e përkufizonte si “makth”, sidomos gjatë pushimit të madh.

Sejda: Zgjohesha në mëngjes dhe thosha obobo, prapë në shkollë, i njëjti makth çdo ditë.

Ardit Gjebrea: Kjo ndodhte çdo ditë?

Sejda: Pothuajseçdo ditë, sidomos në kohën e pushimit të gjatë që unë dotëvazhdoja të haja, do të nisnin këto epitetet akoma më shumë duke më thënë që “shihe sa hëngre ti sot, a të mjaftoi, shihe sa të madhe e ke gojën” ose budallallëqe të tilla.

Ajo tregon se njëherë u përpoq t’ia thoshte mësueses, e cila e kaloi lehtë por këtu u shtua edhe një epitet tjetër nga fëmijët: “spiune”.

Sejda: Tentova të shkoj njëherë t’i them zyshës, një nga mësueset  e mia.

Ardit Gjebrea: Çfarë i the?

Sejda: Ajo thjesht e kaloi shumë lehtë “domethënë që shihe se kanë bërë shaka me ty, nuk ka asgjë të keqe” dhe thjesht më përcolli për shtëpi, kaq ishte e gjitha dhe aty kuptova që ky ishte fati im, do të përballem me bullizmin çdo ditë.

Ardit Gjebrea: Shokët e mësuan që ti vajte te mësuesja?

Sejda: Normale që po sepse çdo gjë do të merret vesh, sidomos në shkollë, sidomos kur je në 9-vjeçare, çdo gjë merret vesh dhe kjo ishte një gjë akoma më e keqe që bëra unë, për ta ishte shumë e keqe dhe fillova të etiketohesha si spiune./tvklan.al