Buxhuku: Industria falimenton. Xhepa: Katastrofe ekonomike
Rritja e rasteve të të infektuarve me virusin Covid-19 dhe shtimi i numrit të të shtruarve në spital ka frikësuar bizneset se mund të ketë një mbyllje të dytë të ekonomisë. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s, thotë se në çdo rast rimbyllja e ekonomisë do të kishte pasoja të jashtëzakonshme dhe shkatërruese për biznesin dhe ekonominë familjare.
“Nëse mbyllemi për herë të dytë, pasojat do të jenë të jashtëzakonshme. Në mbylljen e parë Shqipëria pësoi një dëm ekonomik që i kalon 3 miliardë dollarë.
Profesori i Ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se vetëm nga goditja e parë, recesioni këtë vit mund të arrijë në 10%, ndërsa treguesit kryesorë të buxhetit, borxhi publik, deficiti dhe shpenzimet janë rritur ndërsa të ardhurat kanë rënë ndjeshëm. Mbyllja e dytë për ekspertët do të ishte në nivelin e katastrofës.
“Ky do të ishte skenari më i keq nëse ka mbyllje të dytë, rënia ekonomike në nivele alarmante, nëse ekonomia humb 20-25% është një recesion në kufijtë e katastrofave ekonomike. I vetmi shpëtim është mbështetja nga vendet e zhvilluara dhe institucionet financiare që të na falnin një pjesë të borxhit”, tha Xhepa.
“Industritë punojnë me jo më shumë se 40% të kapacitetit, shumica e punonjësve me rroga të shkurtuara. Qeveria i ka paratë nga aktiviteti ekonomik, nuk ka ku t’i gjejë burimet monetare, nuk pret para. Nuk ka mundësi të paguajë në një mbyllje të dytë”, tha Buxhuku.
Pamundësinë që buxheti të paguajë për një mbyllje të dytë e konfirmojnë dhe ekspertët, edhe pse pranojnë se fondi rezervë këtë herë është rritur.
“Fondet rezervë për situata të pasigurta nuk juanë të mjaftueshme, por kanë rritje të konsiderueshme nga akti normativ i parë. Mënyra e përdorimit do të varet se si do të shkojë situata”, tha Xhepa.
Vetëm gjatë goditjes që shkaktoi mbyllja e pranverës, Banka e Shqipërisë vlerëson se recesioni ekonomik këtë vit do të jetë 6%.
Tv Klan