Viktor dhe Besmir Haxhia, dy vëllezërit që u vranë më 27 Prill 2020 në Durrës, janë përfolur se kanë pasur lidhje me grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit në vitin 2019. Por sa të vërteta janë këto pretendime? Nëna dhe motra e dy vëllezërve kanë folur për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus, ku kanë rrëfyer gjithçka që dinë rreth kësaj ngjarje. Ato janë pyetur nëse vëllai i tyre ka pasur njohje me Admir Muratin, Klement dhe Eldi Çalën, si dhe me dy persona të tjerë Dorian Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn të cilët u vranë disa ditë para ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia.
Spartak Koka: Vëllezërit Dumani i njihni? Lul dhe Dashamir Dumani?
Nëna: Jo!
Motra: Jo, as unë.
Spartak Koka: Dorian Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn i njihni?
Motra: Jo nuk i kemi njohur.
Spartak Koka: Në asnjë lloj rrethane?
Motra: Në asnjë lloj rrethane.
Spartak Koka: Po Klement dhe Eldi Çala?
Motra: Jo, as ata!
Spartak Koka: Është thënë që Besmiri ka patur njohje me Admir Muratajn, një prej organizatorëve i cili mbeti i vrarë në grabitjen e Rinasit. Keni dijeni ju për këtë gjë?
Motra: Për Besmirin janë thënë shumë gjëra, janë aluduar shumë gjëra.
Spartak Koka: Prandaj jemi këtu që t’i sqarojmë gjithë këto pikëpyetje, dijeni, njohuri që ju keni për vëllezërit tuaj apo për njohjet e vëllezërve tuaj me persona të përmendur.
Motra: Me dijeninë e familjarëve, ne dimë që Besmiri nuk ka pasur njohje me personin në fjalë.
Spartak Koka: Çfarë i lidh vëllezërit tuaj me grabitjen e Rinasit? Kanë patur ndonjë lidhje? Sepse është thënë që dy vëllezërit Haxhiaj kanë patur lidhje të tërthorta me grabitjen e Rinasit.
Motra: Vëllezërit e mi nuk kanë patur asnjë lloj lidhje me grabitjen e Rinasit. Nëse do të kishin pasur lidhje me grabitjen e Rinasit do kishin pasur të ardhura. Dhe kjo nuk do t’i bënte ata të dy të merrnin kredi pas kredie për të hapur një biznes.
Spartak Koka: Pse keni marrë kredi?
Motra: Kemi marrë dy kredi. Një kredi e parë për të filluar aktivitetin vëllezërit e mi në të cilën u vetëpunësuan. Pastaj më vonë është marrë një kredi e dytë me një shumë 40 mijë Euro për të ndërtuar biznesin, për të blerë makina të reja. Se të kesh makina me qira, personi që vjen ta marri do një makinë luksi… Edhe ata nuk arritën dot ta përfundonin atë që kishin nisur.
Spartak Koka: Kush po e shlyen kredinë sot dhe kush po e mban biznesin?
Motra: Biznesi është mbyllur se ne asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk ka mundësi ta mbante. Kredi për momentin është e pashlyer. Banka vjen çdo ditë dhe kërkon nga familjarët këstet e kredisë për arsye se garant i bankës ka qenë babai i fëmijëve. Dhe si garanci është vënë shtëpia ku ne jetojmë. Për momentin ne nuk kemi pasur mundësi të shlyejmë asnjë këst kredie.
Spartak Koka: Pra përtej humbjes së të afërmve ju keni sot edhe një sprovë financiare. /tvklan.al