Renditet ndër tre fituesit e listës në Qarkun e Durrësit
Pas negociatash të vështira me Partinë Demokratike, Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste arrin marrëveshjen me Lulzim Bashën për të qenë në tre vendet e sigurta në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Durrësit.
Në një interviste për Tv Klan, Duka thotë se forca që ai drejton do të dalë në 25 Prill me një listë të përbashkët me Partinë Demokratike, duke patur të sigurtë një deputet në zgjedhje.
“Këto negociata nuk ishin të lehta. Vendimi për t’u marrë ishte i vështirë nga të dy palët, sidomos nga PAA. Ramë dakord që unë të jem në pjesën e sigurt të listës, në tre vendet e para në listen e Durrësit. Kandidatët e tjerë të PAA në 11 qarqe do të kandidojnë në pjesën jashtë listës”.
Pavarësisht se Kodi i ri Zgjedhor e kushtëzon në përmbushjen e pritshmërive të tij elektorale si PAA, Duka nuk e mohon ambicjen për të nxjerrë edhe dy deputetë të tjerë, një në Fier e një në Tiranë.
“Që do një kandidat siç është rasti i Tiranës apo i Fierit, ku ne kemi struktura të mira, të mund të kapërcejë atë numrin e domosdoshëm për të dalë”.
Parimisht të mbyllur marrëveshjen me Lulzim Bashën e cilëson edhe Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ai thotë se futja në dhjetëshen e vendeve të sigurta në Qarkun e Tiranës është vijim i marrëveshjes së bërë më herët nga kryedemokrati me 5 krerët e partive opozitare pas djegies së mandateve të deputetit.
“Këtë punë e kemi të mbyllur. Unë do të jem në Tiranë”.
Negociatat më të vështira janë me aleatin historik të demokratëve, Partinë Republikane. Kjo pasi bazuar në kalkulimet elektorale të kësaj force të drejtuar nga Fatmir Mediu, kërkon 3 deri në 4 mandate në pjesën e sigurt të listës së përbashkët. Mësohet se një mosarritja e një marrëveshje të përbashkët me Mediun, nuk përjashton aspak daljen e PR më vete në këto zgjedhje.
Nard Ndoka i PDK-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së janë fare pranë mbylljes së marrëveshjes për të qënë në listën e përbashkët të kandidatëve në Shkodër e Vlorë.
Ende pa marrëveshje është edhe PDIU dhe LSI, e cila ka paralajmëruar se do të dalë me listën e saj në këto zgjedhje.
Tv Klan