Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa gjatë një interviste për BBC në Damask tha se vendi është i rraskapitur nga lufta dhe se Siria nuk është më një kërcënim për fqinjët e saj apo për Perëndimin.

“Tani, pas gjithë asaj që ka ndodhur, sanksionet duhet të hiqen sepse ato ishin në shënjestër të regjimit të vjetër. Viktima dhe shtypësi nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë.”

Ai tha se Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi dominues në aleancën rebele duhet të hiqet nga lista si një organizatë terroriste. Sanksion ky i caktuar nga OKB-ja, SHBA, BE dhe Britania e Madhe, pasi filloi të vepronte si një grup i ndarë i Al-Kaedës, nga i cili u shkëput në vitin 2016.

Gjatë intervistës ai mohoi se donte ta kthente Sirinë në një version të Afganistanit. Udhëheqësi de-fakto u shpreh se beson në edukimin për gratë. “Ne kemi pasur universitete në Idlib për më shumë se tetë vjet. Unë mendoj se përqindja e grave në universitete është më shumë se 60%.”

Ahmed Al-Sharaa shtoi se do të ketë një komitet sirian ekspertësh ligjorë për të shkruar një kushtetutë dhe se çdo sundimtar apo president do të duhet të ndjekë ligjin. Kjo është hera e dytë që udhëheqësi i grupit Hayat Tahrir al-Sham u shfaq me rroba civile dhe jo ushtarake ndërsa u përpoq të ofronte siguri për të gjithë ata që besojnë se grupi i tij nuk është shkëputur nga e kaluara e tij ekstremiste.

Veprimet e sundimtarëve të rinj të Sirisë në muajt e ardhshëm do të tregojnë llojin e vendit që ata duan të jetë Siria dhe mënyrën se si ata duan ta sundojnë atë.

Klan News