Shkollat e Prishtinës janë të hapura për të gjithë fëmijët e larguar nga Shqipëria e të cilët po strehohen atje për shkak të tërmetit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së kryeqytetit kosovar, Shpend Ahmeti.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti thotë se Drejtoria e Arsimit do t’i tregojë në vijim detajet e lajmërimit, sistemit dhe inkuadrimit të fëmijëve që të mos humbin orë të mësimit.
“Shkollat e Prishtinës janë të hapura për të gjithë fëmijët të larguar nga Shqipëria për shkak të tërmetit, e të strehuar në Prishtinë. Së shpejti, Drejtoria e Arsimit do ti tregoj detajet e lajmërimit, sistemimit dhe inkuadrimit të fëmijëve që mos të humbin orë të mësimit”, shkruan Ahmeti.
Tërmeti me magnitudë 6.4 i 26 Nëntorit shkaktoi shumë viktima në Shqipëri. Me qindra të tjerë mbetën të plagosur ndërkohë që pati edhe banesa dhe pallate të shembura, duke lënë në qiell të hapur familje të tëra.
Pas ndihmës së ofruar, drejt Kosovës kanë shkuar shumë familje shqiptare për t’u strehuar, megjithatë ende nuk dihet numri i saktë i personave që kanë kaluar kufirin. /tvklan.al