Bashkëshortja dhe vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë kundër vendimit të kontrolleve të zhvilluar në datën 6 Dhjetor 2024.
Ata kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të datës 20 Dhjetor që la në fuqi vendimin e gjyqtares Atalanta Zeqiri për kontroll personal dhe kontolle banesash dhe subjekte të ndryshme.
Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj pretendojnë për paligjshmëri të kontrolleve dhe kërkojnë kthimin e sendeve të sekuestruara. Tashmë fati i provave të sekuestruara nga SPAK do të vendoset nga Gjykata e Lartë, e cila pritet që së shpejti, të caktojë edhe datën e seancës në dhomë këshillimi.
Po ashtu, bashkëshorjta e kryebashkiakut pritet të zhvillojë edhe një betejë tjetër me drejtësinë që lidhet me kontrollin e një apartamenti në Tiranë në datën 14 Janar.
Xoxa, përmes avokatëve të saj, ka bërë ankimim në gjykatë duke kërkuar lirimin e sendeve të sekuestruara, por ende nuk është vendosur data e seancës gjyqësore.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiri firmosi kontrollet pas kërkesës së SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen për një procedim penal të regjistuar pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas i vetëdentifikuar si Nesti Angoni.
Prokuroria e Posaçme ka dyshime se janë konsumuar elemente të 4 veprave penale; korrupsion pasiv, korrupson aktiv, pastrim parash dhe fshehje e pasurisë. Hetimet kanë nisur që në 8 Shkurt të 2024.
Në vendimin e kontrolleve thuhet se nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete, të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata te dyshimta dhe fatura te dyshuara fiktive të realizuara permes disa shoqerive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të kryetarit të bashkisë.
Këto transaksione, të cilat dyshohet të kenë mundësuar më pas përfitime të parregullta për familjarë të ngushtë dhe të tjerë familjarë të afërt me kryetarin e bashkisë, konstatohet të jenë realizuar përmes një strukture komplekse të marrëdhënieve financiare që qëllim final ka pasur integrimin e vlerave monetare në sistemin bankar, duke fshehur në këtë mënyrë origjinën e tyre të paligjshme.
Klan News