Prokuroria në Reggio Emilia ka nisur hetimet për vrasje në rrugë pas aksidentit tragjik që ndodhi më 30 Tetor ku humbën jetën Shane Hyseni, 22 vjeçe, djali i saj 2-vjeçar Mattias dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Rejana e Resat Hyseni, 8 dhe 11 vjeç.

Në drejtimin e makinës tip “Fiat” ishte Orjol Lame, 32 vjeç, bashkëshorti i Shanes, babai i Mattiasit. Ai ndodhet në gjendje shumë të rëndë në spital, në reanimacion. Me hetimet, prokuroria kërkon që të përcaktojë gjendjen e shoferit në momentin e përplasjes. Për këtë arsye janë kryer edhe teste toksikologjike ndaj tij.

Një ndër hipotezat që po shqyrtohet është shpejtësia e madhe e makinës. Sipas asaj që shkruan Gazzetta di Reggio, kilometrazhi i makinës së shkatërruar tregonte shpejtësinë 220 kilometra në orë. Megjithatë, ky detaj pritet të sqarohet nga autoritetet nëse mjeti ka qenë me të vërtetë me këtë shpejtësi apo jo.

Sipas hetimeve paraprake, në rrugën ku ndodhi aksidenti nuk ka shenja frenimi. Sipas një shoferi që ka rastisur në rrugë në momentin e ngjarjes tha se makina me shqiptarët ka filluar papritmas të rrëshqasë dhe më pas është përplasur me ndërtesën.

Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë komunitetin ku banonin viktimat. Sipas asaj që ka treguar babai i tyre, Ardiani, ata kishin shkuar për darkë në një restorant sushi. Por gjatë kthimit, shoferi ka humbur kontrollin dhe makina u përplas me një shtëpi.

Pasojat ishin tragjike… Shane Hyseni, djali Mattias dhe Rejana e Resat Hyseni humbën jetën si pasojë e plagëve. Trupat e pajetë të tyre do të sillen në Durrës, vendlindjen e tyre, pasi familjarët kanë vendosur që t’i varrosin aty. Deri më tani nuk është përcaktuar data e funeralit pasi po kryhen procedurat burokratike për kthimin në Shqipëri të trupave të pajetë./tvklan.al