“Shoqja ime, pse ike”? Është e trishtë dhe e dhembshur kujtimi i Suela Hajdarmataj Mansit, që për Shane Hysenin, 22-vjeçaren që vdiq në aksident në Reggio Emilia, ishte si motër.

“Jemi njohur dy vite më parë, kur erdha në Itali. Burri im dhe Orjoli (burri i Shanes) njiheshin më parë pasi ishin nga i njëjti vend në Shqipëri. Kështu që dilnim shpesh. Resati dhe Rejana (vëllai e motra i Shanes) kishin të njëjtën moshë me fëmijët e mi. Vinin dhe ata, luanin bashkë me të vegjlit e mi. Më luteshin që t’i lija të qëndronin për të fjetur. E gjitha kjo nuk mund të bëhet më. Është e tmerrshme”.

Suela tregon se çfarë kishin rënë dakord dy shoqet para aksidentit.

“Të dielën në mbrëmje e dija që do të dilnit për të ngrënë jashtë. Pasi të çoje vëllain dhe motrën në Parma, në kthim duhej të ishim takuar në Cade, për të pirë një kafe dhe për të qëndruar pak sëbashku. Ne ishim nisur nga shtëpia jonë…”.

Suela nuk mundet për arsye pune që të shkojë në Shqipëri për ceremoninë e varrimit.

“Zemra ime ama është atje”, shprehet ajo.

E reja ka shkruar një mesazh dedikuar mikes së saj, në librin e kujtimeve jashtë shtëpisë së funeralit në Coviolo.

“Shoqja ime Shane, e di që nuk do ta lexosh kurrë këtë mesazh që po ta dedikoj ty, Mattiasit, Resatit dhe Rejanës. Keni hapur një plagë të pashërueshme me këtë tragjedi shumë të madhe. Atë mbrëmje isha rrugës për të të takuar për të pirë një kafe së bashku. Por nuk e kisha menduar kurrë që do të të gjeja në atë rrugë të mallkuar të shtrirë, pa frymë dhe me gjithë ato drita blu ambulance sipër teje. Të thirra, por nuk më dëgjove. Të thirra fort me gjithë forcën që më ka dhënë Zoti. Por nuk mora asnjë përgjigje e as nuk munda të të zgjoj. Fatkeqësisht ti nuk do të kthehesh dot më nga ajo rrugë. Ke shkuar pranë Zotit, por ishe shumë e re për këtë. Ishe shumë e re dhe ne të dyja i realizuam dot dëshirat dhe planet që kishim si shoqe. Më le vetëm. Pse hoqe dorë kështu? Përse u largove? More edhe Mattiasin me vete. Kujt mund t’i them “dashuri” tani? Kur e thërrisja kështu, qeshte gjithmonë. Çfarë mund t’u them fëmijëve të mi tani? Çfarë dhimbje. Mirupafshim Shane, shoqja ime…”, shkruan ajo.

Aksidenti i rëndë ndodhi më 30 Tetor. Makina ku udhëtonin Shane Hyseni, djali i saj Mattias, motra dhe vëllai i 22-vjeçares, Rejana dhe Resati, humbën jetën pasi u përplasën me një shtëpi të pabanuar. Mjeti drejtohej nga bashkëshorti i Shanes, Orjol Lame, 32 vjeç. Pas testeve toksikologjike është zbuluar se Lame ishte i dehur dhe i droguar. Po ashtu, makina e tij ishte e pa kontrolluar, e pa siguruar dhe ai ka lëvizur me shpejtësi të lartë, ende e papërcaktuar nga hetuesit./tvklan.al